Zv/ministri i Arsimit: Librat asnjëherë nuk kanë qenë falas

Aktuale

Zv/ministri i Arsimit: Librat asnjëherë nuk kanë qenë falas

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 21:12
Taulant Kelmendi

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka reaguar ndaj çështjes së blerjes së librave për vitin e ri shkollor.

Propozimi i MASHTI-t që sivjet librat të blihen nga prindërit dhe më pas ata të rimbursohen nga ministria përmes aplikimit në platformën ‘eKosova’, ka ngjallur reagime të shumta. Megjithatë, zv/ministri Kelmendi ka thënë se kjo metodë është forma më e mirë në këtë kohë dhe kjo po bëhet për t’i denoncuar  çmimet e larta dhe të papranueshme të shtëpive botuese.

“Librat asnjëherë nuk kanë qenë falas, ato janë blerë me taksat tona, madje janë blerë shtrenjtë dhe gjithçka ka ndodhur në mjegull. Këtë vit kemi pranuar oferta të paarsyeshme: Libri "Shoqëria dhe mjedisi 3" është ofertuar 27,00 euro. Libri "Fizika 9" është ofertuar 18,00 euro, libri "Matematika 4" është ofertuar 17,50 euro, libri "Matematika 3" është ofertuar 12,00 euro, libri "Gjuha boshnjake" është ofertuar 30,00 euro. Sigurisht këto nuk do të mund të blihen nga buxheti i shtetit sepse është abuzim”, ka thënë zv/ministri Kelmendi në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se përmes metodës së blerjes së librave nga ana e prindërve po i denoncojnë çmimet e larta dhe të papranueshme. Po i transferojnë mjetet për blerjen e librave tek prindërit dhe po sigurohen që përzgjedhja e librave nga aktivat profesionale/mësimdhënësit të jetë e duhura.

“Çmimet do të shtypen në kopertinën e librit dhe nuk mund të rriten. Po sigurohemi që mjetet e transferuara të jenë të mjaftueshme për blerjen e teksteve për secilën klasë. Si po e bëjmë? Përmes platformës eKosova. Në një proces që zgjat më pak se 10 min, aq më lehtë që tashmë platforma ka 797 mijë përdorues dhe prindërit përfitojnë nga skemat e mbështetjes për fëmijë. Pra, algoritmi i sistemit është gati. Mjetet nuk mund të ndalen as nga përmbaruesit dhe as nga bankat sepse kjo tashmë është rregulluar me ligj. Pas lansimit të platformës do të publikohet manuali i aplikimit”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka bërë të ditur se të gjitha reformat janë adresuar në projektligjin për tekstet shkollore që ka kaluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe i njëjti pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Aty parashihen mundësitë e krijimit të teksteve digjitale, autorët mund të aplikojnë drejtpërdrejt në MAShT me dorëshkrimet e tyre, recensentë kompetent e të certifikuar për tekste cilësore, indeksi i çmimit dhe shpërndarjes që përcaktohet nga ministria”, ka nënvizuar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat