Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

Aktuale

Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 13:25
“Muri i Nderit”

Është inauguruar sot në kryeqytet “Muri i Nderit”, në shenjë nderimi për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Në murin që u vendos në Parkun e Qytetit prej sot do të qëndrojnë emrat e 23 familjeve që ndihmuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, tha se ky mur është dëshmi e një miqësie të garantuar të popullit shqiptar dhe atij hebre, derisa e vlerësoi si frymëzim për brezat e ardhshëm.

Sipas tij, “Muri i nderit” është shtëpia e përbashkët e popullit hebre dhe popullit shqiptar, që i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe prosperitetit.

“Ngjashëm me Kopshtin e të Drejtëve Ndër Kombe në memorialin e Madh të Holokaustit ‘Yad Vashem’, falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi zbuluar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së dy popujve tanë. E megjithatë, rëndësia e këtij muri shkon përtej individëve që ky mur feston, muri jo vetëm përkujton aktet e tyre, por shërben edhe si monument për vlerat e përbashkëta dhe për miqësinë e garantuar të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë atij shekulli, e dinin se çfarë do të thoshte të privohesh nga shtëpia. Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti, shteti i Izraelit dhe i shtetit të Kosovës, të cilat më në fund u dhanë atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila i kishin privuar më parë. Muri i nderit që ne e dedikojmë sot tregon gjithashtu se populli hebre dhe ai shqiptar ndajnë një shtëpi në një kuptim kohor”, tha Kurti.

Se ky mur i nderit është dëshmi e guximit për historinë e përbashkët të popullit shqiptar dhe atij hebre tha edhe kryetari i Prishtinës, Përpaim Rama.

“Sot në zemër të Prishtinës ne zbuluam ‘Murin e nderit’, një dëshmi e guximit dhe dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera që formësojnë historinë tonë të përbashkët. Ky mur i nderit është më shumë se një strukturë, është një monument i zhytyr në histori të jashtëzakonshme. Duke qëndruar përpara tij, zemrat tona mbushen me krenari dhe përjetësojnë një të kaluar që do të frymëzojë breza e breza tjerë me radhë që do të vijnë”, u shpreh Rama.

“Muri i nderit” është ngritur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael.

Drejtoresha e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley Cloyes DioGuardi, është shprehur mirënjohëse për tolerancën dhe guximin e popullit shqiptar.

“Ndërkohë që ne kemi bërë përparime të mëdha në teknologji në shekullin 21, ne jemi mjerisht prapa në botë në përparimin moral dhe dua të citoj Gavra Mandil, i cili u citua nga një çift jugosllav që me familjen e tij u shpëtuan nga shqiptarët dhe tha ‘Shqiptarët mund të mos jenë edukuar në trashëgiminë e Gertës dhe Shilerit, rëndësinë më të madhe për jetën njerëzore, mirëpo ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës i ktheu shpinën shfarosjes së hebrenjve evropianë shqiptarët e Kosovës treguan tolerancë, sakrificë dhe guxim’”, tha Cloyes DioGuardi.

Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, pjesë e familjes kosovare që strehoi një grup të hebrenjve, sot i pranishëm në ceremoni tha se ndjehet i lumtur që më në fund po njihet kontributi i shumë familjeve kosovare. Ai shtoi se po trashëgon marrëdhëniet me familjet e të mbijetuarve edhe sot.

“Drejtova sot Shoqatën e Miqësisë Kosova Izrael që është themeluar në vitin 2005 nga gjyshi im i ndjerë, Mustafa Rezniqi dhe studiuesja e ndjerë Gjongyle Ilijazi. Ajo kishte bërë një kërkim të jashtëzakonshëm dhe kaq unik sa edhe unë sot e kam trashëguar punën e saj, pra kjo punë nuk ka filluar me mua, dhe jam shumë i lumtur që pata rastin të bashkëpunoj me të dhe më vjen shumë keq që ajo nuk është sot këtu me ne sepse edhe ajo do të ishte e lumtur dhe krenare për gjithë punën ku edhe ajo ka marrë pjesë. Komunikimi dhe marrëdhënia me familjet e të mbijetuarve po vazhdon, kështu që në të dyja anët po rritemi dhe zhvillohemi edhe më shumë dhe çdo ditë e më shumë miqësia jonë po forcohet”, tha Rezniqi.

Ndërsa ish-kongresisti amerikan, Joseph J. DioGuardi, theksoi se toka shqiptare është tokë e shenjtë për popullin hebre, dhe se është një shembull i mirë për Amerikën sot. Ai u shpreh i lumtur për rrënjët e tij shqiptare.

“Kjo tani është tokë e shenjtë, ky memorial do të vazhdojë si tokë e shenjtë për popullin hebre dhe për popullin shqiptar. Dhe ka një shembull të mirë të kësaj në Amerikë sot, dhe quhet Gettysburg, ne kishim një president që dha jetën që ne të mund të shpëtojmë nga skllavëria si një tmerr i plotë i drejtësisë për njerëzimin. Dhe, Shirley dhe unë ecëm në ato terrene dhe në atë pikë u vranë rreth 200.000 ushtarë, dhe më në fund ishte një president që u vra, emri i tij ishte Lincoln. Ne duhet të kujtojmë sakrificën përfundimtare që ai bëri, njësoj si sakrificat përfundimtare që shumë veta bënë deri më sot. Dhe jam shumë i lumtur që jam këtu me ju, jam shumë i lumtur që i njoh rrënjët e mia shqiptare. Nuk është e lehtë t'iu shpjegosh njerëzve se jam shqiptar kur ke emrin DioGuardi. Por ata nuk e dinë se sa e ndërlikuar është bota, sidomos për shqiptarët me të gjitha këto ndarje”, tha DioGuardi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat