​Murati flet për ‘kërcënimin’ e komunave dhe çmimet e naftës: Lojë e Asociacionit

Aktuale

​Murati flet për ‘kërcënimin’ e komunave dhe çmimet e naftës: Lojë e Asociacionit

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 14:15
Hekuran Murati

Lojë dhe hipokrizi e Asociacionit të Komunave e ka vlerësuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kërcënimin që këto institucione lokale ia bënë ekzekutivit me dërgimin e Ligjit për tatimin në pronë në Gjykatë Kushtetuese.

Asociacioni i Komunave gjatë ditës ka njoftuar se komunat pritet ta dërgojnë këtë ligj në Kushtetuese me arsyetimin se si pasojë e tij, kryesisht për faljen deri të 100 eurove nga tatimi në pronë për qytetarët, do të humbin shuma të mëdha të mjeteve.

Ndërsa, ministri Murati pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.

Murati ka folur edhe për çmimet e larta të karburanteve në vend, i cili bëri të ditur se çmimi aktual i naftës së importuar është 1.31 euro për litër, që sipas tij Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur për caktimin e marazhave maksimale për naftëtarët.

“Ka një lloj hipokrizie sa i përket çështjeve të halleve të cilat pretendojnë që i qajnë. Nëse kërkesa ka qenë që duhet të ulët barra tatimore për qytetarët, ne ua kemi mundësuar me këtë ligj. Dhe tani janë pikërisht komunat që fillimisht kishin kërkuar që të lehtësohet barra e qytetarëve që po e kundërshtojnë këtë masë. Komunat duhet të vendosin deri më datën 16 shtator sa i përket kësaj çështje… Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave në këtë rast edhe e Asociacionit të Komunave që në njërën anë pretendojnë se kanë hallin e qytetarëve dhe kërkojnë të ulet barra për qytetarin dhe kur qeveria bën një hap të tillë ata e kundërshtojnë. Prandaj, kjo duket absurde edhe dërgimi në Kushtetuese”, theksoi Murati.

Sa i përket çështjes së çmimit të naftës, Murati ka thënë se ka mënyra se si rregullohet kjo çështje në kuadër të kushteve të tregut që ekziston liria e vendosjes së çmimeve.

“Ligji për naftën parasheh që në kushtet e çrregullimit të tregut mund të përcaktohen edhe marzha apo çmime tavan. Sa i përket çmimit të importit, çmimi aktual që është duke hyrë është 1.31 euro përfshirë edhe taksat. Kështu që mund të flitet për një marzhë të caktuar të përfitimit. Ministria përgjegjëse për këtë, MINT-I ka marrë një vendim sa i përket caktimit të marazhave maksimale. Ka disa kompani që nuk e kanë respektuar dhe janë në procedura. Unë e di që i kam informatat e sakta”, tha Murati.

Shtrenjtimi i derivateve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Aktulisht në tregun e Kosovës një litër naftë ka arrit deri në 1.50 euro.

Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se “nuk po ia lë shenjë” për uljen e çmimeve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat