Mbyllet përkohësisht ordinanca stomatologjike në Malishevë, ku vdiq pacientja pas trajtimit

Aktuale

Mbyllet përkohësisht ordinanca stomatologjike në Malishevë, ku vdiq pacientja pas trajtimit

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 16:55
Foto ilustrim

Inspektorati Shëndetësor të martën ka vendosur shenjën për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë në IPSH “Doktorat” në Malishevë, ku një qytetare ka vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Ministria e Shëndetësisë, ku gjatë ditës ka lëshuar edhe komunikatë për media lidhur me këtë çështje.

“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftimin e këtij dikasteri.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.

“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, viktima të martën kishte marrë shërbime stomatologjike në këtë klinikë e më pastaj është dërguar në QKUK, ku edhe ka vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat