Avokati Halimi: Sasia e grurit ka mundur të zvogëlohet gjatë transportit me anije nga Turqia

Aktuale

Avokati Halimi: Sasia e grurit ka mundur të zvogëlohet gjatë transportit me anije nga Turqia

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 17:08
Mamut Halimi

Mbrojtësi i të dyshuarit për aferën me rezervat shtetërore Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” deklaroi se sipas normave ndërkombëtare mallrat të cilat transportohen, pësojnë ndryshime edhe në peshë.

“Sipas normave ndërkombëtare, mallrat të cilat transportohen edhe janë të ekspozuara kushteve të ndryshme atmosferike pësojnë edhe ndryshime në peshë, ndërkombëtarisht është e ditur”, tha avokati Halimi.

Tutje, avokati tha se ndryshimet në peshë i pëson edhe gruri, duke marrë parasysh rrethanat e transportimit.

“E pëson edhe gruri, a e dini që në një rrugëtim të tillë për shembull ndodh vapë e madhe ose thatësi gjatë rrugës nëpër det edhe malli humbë peshë, deri në 2 ose 2 e gjysmë % me norma ndërkombëtare deri në 2 ose 2 e gjysmë % të sasisë së tërësishme llogaritet si kallo ose pjesë e lejuar e humbjes”, shtoi tutje Halimi.

Ai tha në bazë të përllogaritjeve del se pikërisht mungesa e 52 tonëve grurë mund të ketë humbur për shkak të transportit.

“E njëjtat llogariteni 10 mijë tonelata me 2 % dalin 52 tonë”, tha avokati Halimi.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për aferën e rezervave shtetërore.Ndryshe, vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kurse, ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të dyshuarve kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht më 19 gusht për dosjen e Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve në rastin e dallavereve me rezervat e shtetit, ku thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në  Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevant fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat