Kurti për Qorrajn: Shenjoi historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë

Aktuale

Kurti për Qorrajn: Shenjoi historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 21:08
Xhevat Qorraj

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e aktorit Xhevat Qorraj.

“Me pikëllim e lexova lajmin për vdekjen e Xhevat Qorrajt, artistit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi ‘Proka’ i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë”.

“Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën ‘Proka’ të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film”.

Kurti përmendi rolet tjera të Qorrajt, duke e theksuar që ai i përket gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë kosovarë.

“Të tjera role filmike në filmat ‘Rojet e mjegullës’, ‘Si të vdiset’, ‘Tri dritare dhe një varje’ dhe deri te filmi ‘Eternally Child’, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne”.

“Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë”.

“Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua tu shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat