Deputetja e AAK-së: Serioziteti i Qeverisë ‘Kurti’ për personat e zhdukur gjatë luftës është zero

Aktuale

Deputetja e AAK-së: Serioziteti i Qeverisë ‘Kurti’ për personat e zhdukur gjatë luftës është zero

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 09:46
Albana Bytyqi dhe Ramush Haradinaj

Anëtarja e Komisionit për të Pagjeturit, njëherësh deputete e AAK-së, Albana Bytyqi ka hedhur akuza për Qeverinë lidhur me të zhdukurit gjatë luftës.

Bytyqi ka thënë se pushteti s’ka bërë asgjë për asnjë kategori.

Ajo thotë se Qeveria ‘Kurti’ po bënë vetëm propagandë me të kaluarën.

“Qeveria Kurti jo vetëm për këtë kategori, por për asnjë kategori nuk ka bë gjë. Krejt çka ka bë është propagandë me të kaluarën, ka ngec aty, dhe assesi nuk po shkëputet nga e kaluara që të punojë dhe ta çoj vendin përpara”, tha ajo.

Bytyqi ka akuzuar edhe Besnik Bislimin për mos transparencë lidhur me bisedimet në dialog për të pagjeturit.

Ajo thotë se serioziteti i Qeverisë për këtë çështje është zero.

“Unë si anëtare e komisionit për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione e kemi pa se serioziteti në këtë çështje të ndjeshme është zero. Këtu mund ta potencoj faktin se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili në mandatin e tij e ka edhe dialogun me Serbinë, nuk ka ardh në Komision për të raportuar se çka është bërë për të pagjeturit ose çka është biseduar në dialog për këtë kategori. Kjo flet shumë për prioritetet e kësaj Qeverie”, u shpreh ajo.

Madje, sipas deputetes Bytyqi pushteti i tanishëm i ka ditët e numëruara për largim.

“Kur mungon transparenca, nënkuptohet se diçka nuk është duke shkuar mirë. Dhe sigurisht përderisa nuk ka komunikim as me familjarët e të zhdukurve çka me prit më shumë nga kjo qeveri që me gjasë i ka ditët e numëruara”, përfundoi Bytyqi.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat