Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë momentum politik për zgjerim të BE-së

Aktuale

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë momentum politik për zgjerim të BE-së

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 19:57
Tanja Fajon

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është kërkuar të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të jenë të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, në panelin me përfaqësues të BE-së dhe kryediplomatëve të gjashtë vendeve të rajonit, u tha se zgjerimi është prioritet në BE.

Këtë e mirëpritën përfaqësuesit e vendeve të rajonit, derisa kërkuan mbështetje shtesë të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Nikoqirja e samitit, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon tha se tani është momentumi politik për zgjerim të BE-së dhe se këtë duhet ta shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fajon: Kemi një momentum unik politik

"Kemi një momentum unik politik. Prandaj për këtë data është diçka që mund të fillojmë të mendojmë ndryshe. Kemi maturitetin dhe krijimtarinë ose kreativitetin politik. Mesazhi se BE-ja do të jetë e gatshme deri në vitin 2030 është historik nëse e shohim në aspektin optimist po themi", tha ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak: Jemi në fokus të plotë në zgjerimin e BE-së

"Jemi me fokus të plotë te zgjerimi. Mesazhi për rajonit është që mos e humbni këtë mundësi....Ju i bëni detyrat e juaja dhe ne i bëjmë detyrat tona. Kështu e ndjejë unë momentumin", tha ai.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Shqipërisë për Evropë dhe Çështje të Jashtme, Megi Fino, tha se deklaratat e presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, japin një motivim shtesë për Ballkanin.

Por, ajo tha se duhet pasur edhe afate e orare të përcaktuara, e jo vetëm një datë përfundimtare, vitin 2030.

Fino: Kemi mbështetje të plotë për integrimin evropian

"Procesi nuk ka qenë asnjëherë i duhur. Ka qenë ose tepër teknik ose tepër politik me çështje bilaterale që pengojnë veprimet, por që po shohim se ka ndryshuar. Në aspektin pozitiv ne kemi mbështetje të plotë sa i përket procesit të integrimit evropian dhe tash procesi po vazhdon", tha ajo.

Afatin për zgjerim të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor deri ne vitin 2030 e mirëpriti edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani: Afati për vitin 2030 është i mirëpritur

"Ajo deklaratë e djeshme ka pas jehonën e vet në Maqedoni të Veriut. Më pëlqen shumë siç e tha Tanja-si premtimi i Bledit 2030. Kjo është shumë me rëndësi pasi e kemi kërkuar këtë", tha ai.

Ndërkaq, më skeptik për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq: Nuk ka kuptim të mbahen organizime të tilla

"Nuk ka shumë kuptim që të mbahen organizime të tilla më. Ju nga Brukseli nuk e dini se ne duam të hymë në BE? Do të isha shumë i gëzuar që ju t'i kushtonit më shumë vëmendje në vitet 90-ta para luftës që të ofroni si alternativë integrimin evropian...Para 10 viteve kam qenë këtu me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton kam nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe nuk zbatohet. Çfarë autoriteti ka BE-ja tash si garantuese e asaj marrëveshje", tha ai.

Në panel ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila nënvizoi se Kosova është e gatshme për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat