Ziadeh: Fati i personave të zhdukur të zgjidhet në frymën e pajtimit, e jo të politizohet

Aktuale

Ziadeh: Fati i personave të zhdukur të zgjidhet në frymën e pajtimit, e jo të politizohet

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 13:29
Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, bën thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme. Ajo u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.

U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” tha ajo në një deklaratë për të përkujtuar Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë.

Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

Ziadeh kujton gjithashtu vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabián Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

UNMIK-u do të vazhdojë të avokojë për rifillimin e bashkëpunimit për këtë çështje me një qasje të të drejtave të njeriut ku në qendër ka viktimat, në bashkëpunim të ngushtë me familjet dhe të gjithë aktorët përkatës.

Ndryshe, raporti i Salviolit do të prezantohet gjatë sesionit të 54-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga 11 shtatori deri më 6 tetor 2023.

Sipas KNKK-së, 6,065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1,617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat