​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

Aktuale

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 15:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Dëshmitari i nëntëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E tërë dëshmia e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun ndërsa prokurori Matt Halling e ka bërë një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij.

Në seancën e së martës, prokurori ka thënë se kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata ka bërë te ditur se seancat në këtë proces gjyqësor do të vazhdojnë të hënën e 4 shtatorit.

Nga 19 dëshmitarë të prokurorisë, vetëm tre prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat