KDI: Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve tejkalon ligjin

Aktuale

KDI: Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve tejkalon ligjin

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por duke vlerësuar se mënyra më e mirë është që kjo të bëhet përmes iniciativës së 20% të qytetarëve.

Për këtë qëllim, është formuar grupi punues në kuadër të MAPL-së, i cili ka afat që deri nesër të finalizojë udhëzimin administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

KDI konstaton se pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithë-përfshirjes.

“Madje, MAPL-ja ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune”, thuhet në reagimin e  KDI.

“Instituti Demokratik i Kosovës edhe më parë kishte vënë theksin tek rëndësia që udhëzimi administrativ të jetë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore. Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi”, vijon tutje njoftimi.

Sipas KDI, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar.

“Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë nëinicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”.

KDI thotë se udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat