Abdixhiku kritikon Qeverinë për tekstet shkollore: E djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja

Aktuale

Abdixhiku kritikon Qeverinë për tekstet shkollore: E djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 20:00
Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ka kritikuar përsëri Qeverinë Kurti për mossigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.

Ai ka publikuar një video në llogarinë e tij në Facebook, ku ka paraqitur rastin e dy prindërve nga Prishtina dhe siç ka thënë, përpjekjes së mundimshme të tyre për t’i siguruar librat e klasës së tretë.

“Nga afër përcollëm përpjekjen e tyre. Do të duhej të kishin brenga tjera, dhe me siguri kanë shumë, por shteti i tyre, dhe i yni, ka vendosur të ngarkojë secilin prind me detyra të vet shtetit – blerjen e librave. Pamjet që po i shihni janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas tij, pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet Qeveria.

“Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim”.

“Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë. Por sot, çfarë na kushton më së shumti është koha. Ajo po na rrëshqet para syve”, ka deklaruar tutje i pari i LDK-së.

Në fund, ai ka thënë se në vitin 2023 do të duhej të flitet për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi e jo për “maltretimin e panevojshëm të prindërve”.

“Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim. Prandaj, e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”, ka përfunduar Abdixhiku. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat