Ahmeti kritikon Qeverinë: Lipjani rrezikon të humbë shumë projekte nëse falen 100 euro nga Tatimi në Pronë

Aktuale

Ahmeti kritikon Qeverinë: Lipjani rrezikon të humbë shumë projekte nëse falen 100 euro nga Tatimi në Pronë

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 08:46
Imri Ahmeti

Komuna e Lipjanit mund t’i humbasë shumë projekte nëse vendosen të falën 100 euro nga Tatimi në Pronë. Ndonëse nuk shprehet kundër faljes së këtyre mjeteve, kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti thotë se telashet do të jenë të mëdha.

Kreu i kësaj komune, thotë se ekzekutivi ka dashur ta hedh “topin” komunave me këtë vendim. Ai tregon se mjetet tashmë janë dedikuar për projekte kapitale.

Ahmeti deklaroi se Qeveria nuk është dashur që ta rrisë normën në pronë, nëse ka pasur për qëllim mirëqenien e qytetarëve.

“Në fakt, askush nuk jemi për mos me i fal, do të ishte dhe do të ndiheshim mirë t’i falim, por proceduralisht është e pamundur me i zbatu, ligji ka defektet e veta, unë mendoj që më mirë është dasht Qeveria të mos e rris normën e tatimit në pronë sesa njëherë ta rris normën e pastaj ta gjuan topin të komunat hajde urdhëroni falnja”, thotë Ahmeti.

Ahmeti thotë se të hyrat që vijnë nga tatimi në pronë, janë dedikuar për investime kapitale. Disa projekte, Ahmeti thotë se janë në zhvillim e sipër e disa për vitin e ardhshëm.

“Këto të hyra që vijnë prej tatimit në pronë ne i kemi koduar dhe i kemi fut në projekte të caktuara, një pjesë të këtyre mjeteve që na i grumbullojmë prej tatimit në pronë janë të dedikuara për zhvillimin e projekteve dhe tash në momentin që t’i i falë, automatikisht do të dështojnë krejt këto projekte të cilat janë parapa këto të hyra buxhetore, mendojmë është tërësisht e padrejtë, mendoj që Qeveria është dashtë me gjet një zgjidhje tjetër e jo me e qitë topin tek komunat sepse është definitivisht problematike në momentin kur t’i i tërheq mjetet nga pozicionet buxhetore të cilat i ke kodu dhe i ke projektu projektet që janë në zhvillim e sipër ose ato qe pritet me ndodh vitin e ardhshëm”, u shpreh tutje Ahmeti, teksa thotë se për faljen e 100 eurove do ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese si Asociacion i Komunave të Kosovës dhe presim vendimmarrjen në Gjykatë Kushtetuese, në rast se natyrisht ligji i jepet plotshmëria nga kushtetuesja, do ta rishikojmë këtë mundësi edhe pse jam shumë i bindur që do të na shkaktoj telashe të jashtëzakonshme”, thotë Ahmeti.

Kreu i Lipjanit ka hedhur edhe akuza në drejtim të Qeverisë, për të cilën thotë se e ka rritur normën e Tatimit në Pronë pa asnjë konsultim me komunat.

Thotë se ekzekutivi nuk e ka hallin tek qytetari.

“Nëse kaq shumë paska interesin e qytetarëve për me i fal 100 euro, atëherë le t’i fal qeveria pse e qet te komunat, le t’i subvencionon këto mjete buxhetore dhe le t’i fal por e para punës ka mujt mos me i rrit fare, pa asnjë lloj konsultimi me asnjë komunë është rrit norma e tatimit në pronë, besoj e dimë të gjithë dhe pasi e ka pa defektin e rritjes ka ardh në një momentum që dëshiron t’ia gjuajë komunave topin që le t’i falin komunat. Në fakt komunat mund të mos i obligojnë nga vitet e ardhshme po jo t’i falin sepse ligji nuk e lejon këtë situatë, prandaj ne kemi kontestimet tona dhe presim nga gjykata kushtetuese me marrë vendim”, u shpreh ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat