LDK në fazën finale të përfundimit të programit "Rruga e Re"

Aktuale

LDK në fazën finale të përfundimit të programit "Rruga e Re"

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 19:41
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kalon një tjetër etapë në zhvillimin e programit të saj, "Rruga e Re", në një mbledhje dyditore, që pritet të jetë vendimtare për lansimin zyrtar të programit në muajt në vazhdim.

Në këtë mbledhje, ekspertë partiakë të LDK-së po bëjnë prezantime të hollësishme për sektorët kryesorë të programit, të cilat më pastaj po komentohen dhe po marrin sugjerime nga pjesëmarrësit.

Mbledhja ka përfshirë një spektër të gjerë të pjesëmarrësve, nga deputetë, kryetarë dhe zyrtarë të komunave të ndryshme, deri te anëtarë të përgjithshëm të partisë.

Kjo mbledhje, e udhëhequr nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është rezultat i një procesi të gjatë dhe të hollësishëm konsultativ me ekspertë të ndryshëm, si brenda ashtu edhe jashtë strukturës së partisë.

"Rruga e Re" po hartohet si një platformë e qëndrueshme dhe e gjithëpërfshirëse që adreson sfidat dhe mundësitë të cilat i ka Kosova.

Zyrtarë të LDK-së bëjnë të ditur se detajet e programit "Rruga e Re" do të prezantohen zyrtarisht gjatë muajve në vazhdim, duke i dhënë një formë të plotë dhe të detajuar vizionit të partisë për të ardhmen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat