Detajet: Krejt çka tha sot zyrtari i “Human Rights Watch” për Demaçin, takimin me Thaçin e Limajn dhe Liqenin e Radoniqit

Aktuale

Detajet: Krejt çka tha sot zyrtari i “Human Rights Watch” për Demaçin, takimin me Thaçin e Limajn dhe Liqenin e Radoniqit

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 19:30 më 06.09.2023
Ish-krerët e UÇK-së

Mbrojtja e Thaçit kërkon emra nga dëshmitari që ka shkruar raporte për shkelje të pretenduara të kryera nga UÇK-ja

Mbrojtja e Hashim Thaçit, ka kërkuar nga dëshmitari Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të tregojë emra të njerëzve të cilët i kanë intervistuar dhe mbi bazën e tyre kanë shkruar raporte për krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Fillimisht, dëshmitari tha se ishte praktikë e tyre të merrnin shënime në intervista të kryera në terren por se të njëjtat konsiderohen konfidenciale dhe nuk shpërndahet me të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga avokati Gregory Kehoe që Abrahams të jepte emra të personave që kishin shprehur frikë të flisnin për krimet e pretenduara të UÇK-së, dëshmitari tha se këtë nuk është në gjendja ta bëjë.

Ai bëri të ditur se nuk ka shikuar këto shënime kur ka ardhur të dëshmojë para trupit gjykues dhe se nuk i kujtohet nëse i ka parë të njëjtat para intervistimit nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

I pyetur se a pajtohet se është e rëndësishme të dihet kush, kur dhe ku i ka shprehur këto shqetësime, dëshmitari tha se pajtohet me këtë por se ai flet nga ajo që i kujtohet nga hulumtimet në tërësinë e tyre.

Më tej ai u pyet edhe nëse e din se kush janë pjesëtarët e familjeve të cilët pretenduan se të afërm të tyre ishin kidnapuar se akuzoheshin si bashkëpunëtorë, por Abrahams sërish tha se nuk mund ta jap sot këtë përgjigje.

Ndërkaq, lidhur me takimin e tij dhe kolegut të tij me Thaçin dhe Famir Limaj, dëshmitari tha se nuk i kujtohet të ketë marr shënime gjatë takimit por se e di që ka shkruar një përmbledhje të takimit për shefen e tij atë kohë.

Për këtë raport tha se e kishte kërkuar në arkivën e tij personale dhe të organizatës, i kishte shënuar edhe shefes së tij, por se sipas tij fatkeqësisht nuk e kishin gjetur.

Më tej për këtë takim, Abrahams tha se Limaj ishte prezantuar si shef i departamentit ligjor apo gjyqësor dhe se nuk i kujtohet nëse ishte diskutuar për burgun numër 7 ku po mbaheshin dy gazetarët serbë.

Po ashtu, dëshmitari u pyet nëse kishte dijeni se njëri nga gazetarët e pretenduar ishte i përfshirë në krime të luftës por ai tha se nuk kishte dëgjuar për këto pretendime.

Kurse, lidhur me çështje se Thaçi mbante qëndrim se kjo ishte çështje civile ndërkaq, vendimi është nga gjykata ushtarake dhe se nga kjo del që Thaçi të mos ketë ditur nëse ishte gjykatë ushtarake apo civile, dëshmitari tha se këtë ai nuk mund ta dinte por se kishte kundërthënie.

‘‘Besoj se ka pas ngatërresë, mund të i mbante UÇK-ja të ndaluar dhe UÇK-ja s’mund të ndërhynte në proces civil, kishte kundërthënie’’, tha ai.

Gjithashtu Abrahams tha se gjatë luftës vështirësia e krijimit të mekanizmave gjyqësore është e konsiderueshme por se kjo nuk i zhvesh palët nga detyrimit për të respektuar të drejtat e burgosurve.

Lidhur me hapat e Shtabit të Përgjithshëm për të bërë sistemin gjyqësor në atë periudhë, dëshmitari tha se ishte hartuar kodi i etikës, ishin krijuar gjykata ushtarake, ekzistonte drejtoria politike pranë shtabit si dhe ekzistonte edhe policia ushtarake.

Por se u përgjigj me ‘‘pajtohem’’, kur avokati Kehoe tha se situata është problematike kur ka komandantë të zonave që nuk respektojnë urdhrat që vijnë nga shtabi i përgjithshëm.

Njashtu, dëshmitari u pajtua me avokatin se me Rezolutën 1233, i vetmi subjekt me përgjegjësi për hetim, ndjekje penale dhe burgosje për keqbërësit ishte UNMIK-u.

Ashtu siç u pajtua se qeveria e përkohshme nuk kishte asnjë kompetencë nga pikëpamja ligjore.

Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.

Zyrtari i “Human Rights Watch” insiston se Demaçi nuk ka pasur ndikim në vendimmarrje, mbrojtja e Thaçit pretendon të kundërtën

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Frederick Abrahams, nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” sikurse në seancën e djeshme edhe sot ka insistuar se Adem Demaçi nuk ka pasur ndikim në vendimmarrje tek ata që ishin në konflikt të armatosur kurse mbrojtja e Thaçit ka pretenduar të kundërtën.

Këto çështje janë diskutuar me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtja e Thaçit, konkretisht avokatit Gregory Kehoe, i cili ka filluar pyetjet për Adem Demaçin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari fillimisht ka thënë se Demaçin e ka takuar së paku dy herë sa kishte qenë në pozitën e përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Ai tha se e di që Demaçi ka përfaqësuar UÇK-në në Kosovë dhe në vendet tjera dhe ka shkuar edhe jashtë vendit si dhe ai kishte qenë kompetent të jepte leje për udhëtime në territore të UÇK-së, e të cilat sipas tij respektoheshin në gjithë Kosovën.

Ndërkaq u përgjigj se ‘‘është e mundur të ketë bërë një deklaratë të tillë’’, kur iu tha se gjatë armë-pushimit kishte qenë Demaçi ai që kishte shpallur vet-përmbajtje për UÇK-në.

Më tej, avokati Kehoe ka lexuar pjesë të deklaratës së dëshmisë së Rrustem Mustafës – komandant Remit, në këtë gjykatë kur kishte folur për Adem Demaçin dhe rëndësinë e tij.

Avokati Kehoe thoshte se pra, Demaçi kishte ndikim në persona që ishte i përfshirë në konflikt të armatosur si te komandat Remi, e që Abrahams tha se ‘‘qëndroj pranë pikëpamjes time që kur bëhej fjalë për qëndrime ushtarake apo vendime strategjike lidhur me çështje konkrete të sigurisë, linin të kuptonin se Demaçi s’kishte ndikim’’.

Më pas avokati Kehoe kërkoi nga dëshmitari të tregojë marrëdhëniet e Demaçit me komandantët e zonave, pasi sipas tij për të dhënë deklaratë se Demaçi kishte ndikim të kufizuar duhet të kuptohej raporti i tij me komandantët e zonave.

Dëshmitari Abrahams thoshte se nuk i njeh marrëdhëniet e tyre po se vlerësimi i tij bazohet në atë se nuk kishte ardhur në dijeni të asnjë lidhje apo që kishte ndikim te ata që luftonin.

Ai më tej tha se nuk e dinte se Thaçi gjatë Rambujesë kishte shkuar në Slloveni të takonte Demaçin për të diskutuar marrëveshjen e as që kishte dëgjuar se Demaçi ishte pjesa kryesore e bisedimeve me komandantët e zonave për emërimin e Sylejman Selimit, e që nuk e dinte edhe se Demaçi kishte bërë të mundur lirimin e dy gazetarëve serb.

Për këtë të fundit, avokati paraqiti komunikatën nr. 64 e cila shënonte se për festën e 28 nëntorit amnistohen dy gazetarët dhe dy aktivistë të LDK-së si dhe një shënim me shkrim dore ku shënohej porosi të Adem Demaçit nga Albin Kurti, në të cilën përmendej lirimi i gazetarëve serbë.

Po ashtu për ndikimin e Demaçit në vendimmarrje, avokati Kehoe paraqiti edhe artikullin e gazetës Koha Ditore, ‘‘Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit’’, e thënë nga Kurti.

‘‘Nuk pajtohem’’, u përgjigj fillimisht Abrahams duke shtuar se kjo përfaqëson dëshirën dhe synimin e Demaçit dhe Kurtit për të ushtruar autoritet.

Ai shtoi se asnjëherë s’ka pasur qëllim të kuptohet se Demaçi nuk kishte autoritet, por sipas tij kishte autoritet moral dhe deri diku politik.

‘‘Mendimi im është ky ai nuk ushtronte autoritet të konsiderueshëm mbi çështjet ushtarake apo të sigurisë apo mbi forcat ushtarake’’, vazhdoi ai.

 

Zyrtari i “Human Rights Watch” flet për takimin me Thaçin dhe Limaj lidhur me rastin e gazetarëve serbë të ndaluar në 98-ën

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Frederick Abrahams, nga organizata  ndërkombëtare “Human Rights Watch” ka folur për takimin e tij me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limaj lidhur me dy gazetarët serbë të ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), në vitin 1998.

Abrahams dha detaje nga ky takim duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar Alan Tieger, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai fillimisht sqaroi se Thaçi dhe Limaj kishin qenë të veshur me uniforma kamuflazhi dhe se të njëjtëve u ishte sqaruar puna e organizatës dhe se mandati i tyre përfshinte monitorimin e të gjitha palëve të përfshira në konflikt.

Lidhur me dy gazetarët e ndaluar, sipas dëshmitarit, Thaçi dhe Limaj kishin thënë se ‘‘këta dy persona janë gjykuar janë shpallur fajtor, po vuanin dënimin dhe do të liroheshin pasi të kishin përfunduar vuajtjen e dënimit’’.

Po ashtu tha se ata kishin treguar se gazetarët nuk kishin pasur avokat dhe se nuk kishin qenë të pranishëm gjatë procesit gjyqësor e që për këtë Abrahams dhe kolegu i tij i punës kishin dhënë mendimin se nuk ka përmbushur standardet ndërkombëtare për proces të rregullt gjyqësor.

Ndërkaq, ai tha se kërkesa për vizitë të ndaluarve iu ishte refuzuar ‘‘për shkak të sekretit ushtarak’’ dhe se nuk iu kishin lejuar të kishin qasje në Kodin e Etikës.

Tutje, dëshmitari tha se nga ana e Thaçit dhe Limaj lidhur me pozicionin e tyre për të liruar të ndaluarit kishin thënë se ‘‘është çështje e gjyqësorit që është i pavarur dhe nuk ishin ata personat e duhur që do ndërhynin në procese gjyqësore se kjo do dëmtonte autoritetin dhe besueshmërinë e institucioneve të UÇK-së’’.

Gjithashtu tha se iu është thënë se UÇK-ja është ushtri e re që po punonte në kushte të vështira dhe se ishin duke krijuar/ngritur strukturat.

Në atë takim, sipas dëshmitarit janë ngritur edhe shqetësime të tjera lidhur me shkeljet e pretenduara të kryerja nga UÇK-ja, si ngacmime, frikësime, pretendime për vrasje.

Për këtë ai tha se kishin thënë se UÇK respekton konventat ndërkombëtare dhe se i kuptojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre por se kishin thënë se në luftë ka edhe probleme.

Abrahams shtoi se Thaçi dhe Limaj pavarësisht që kishin përmendur se kishin disiplinuar ushtarë, nuk kishin dhënë shembull konkret të këtyre masave disiplinore.

Ai përmendur faktin se më pas kishte shkruar një letër drejtuar Adem Demaçit, Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt për t’i falënderuar për angazhim, për të thekuar pika kryesore të takimit dhe për të dhënë rekomandime të mëtejme.

Më pas nga ana e prokurorit Tieger është lexuar një pjesë e raportit ‘‘Ndalimet dhe abuzimet në Kosovë’’, e që Abrahams pohoi se kishte qenë autori kryesor dhe se pjesët e këtij raporti lidhur me rastin e gazetarëve të ndaluar i ishin referuar takimit me Thaçin dhe Limaj.Ndërkaq, tha se nuk i kujtohet nëse ka parë vendimin e dënimit të tyre para publikimit të raportit të sipërpërmendur.

Pastaj, prokurorit Tieger lexoi edhe disa deklarime të z. Thaçi për këtë takim e që thuhet se kur është pyetur se ‘‘a ju ka pyetur z. Abrahams nëse gazetarët serbë kishin kaluar në një proces gjyqësor’’, Thaçi ishte përgjigjur se ‘‘nuk më kujtohet por UÇK nuk ka pasur ndonjë mekanizëm të procesit gjyqësor’’, e që dëshmitari tha ‘‘ata na thanë që janë në proces të ndërtimit të këtyre mekanizmave’’.

Në vazhdim të dëshmisë, dëshmitari foli edhe për raporton ‘‘Abuzimet kundër serbëve dhe romëve në Kosovën e re’’, ku tha se janë përfshirë shkelje që shënjestronin popullsinë që nuk ishin shqiptarë pas mbërritjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Këtë raport tha se ia kishte dhuruar personalisht Hashim Thaçit si drejtues i qeverisë së përkohshme atë kohë.

‘‘Pika që nuk pajtoheshim ishin se këto ishin veprime të individëve të izoluar dhe me fjalë të tjera çdo kush  mund të veshte uniformën e UÇK-së dhe të kryente krime në emër të UÇK-së dhe nuk kishte politikë të bashkërenduar për të mbështetur një sjellje të tillë kriminale’’, tha ai lidhur me këtë takim.

Pra, sipas tij Thaçi thoshte se krimet kryheshin nga persona të izoluar dhe persona të maskuar në uniformën e UÇK-së.

Lidhur me këtë Abrahams tha: ‘‘Ka pasur raste që janë kryer krime nga persona të caktuar që kishin gjetur uniformë të UÇK-së dhe pretendonin se ishin pjesëtarë të UÇK-së pa qenë, por nuk e besoj as atëherë as sot mbështetur në hulumtimet tona të kryera, intervistimin e viktimave dhe dëshmitarëve të këtyre incidenteve dhe krimeve, se shpjegimi i individëve që vishnin uniforma rastësore ishte përshkruese e tërësishme e situatës, mund të kishte por modeli i përsëritur i këtyre incidenteve, vazhdimësia e raporteve nga viktimat e tilla na tregove neve të paktën, se kishte më shumë sesa kaq, nuk ishte historia kaq, nuk mund të ishte kaq.’’

Dëshmitari më tej ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

Dëshmitari i 22-të i thotë avokatit të Veselit se nuk shkuan te Liqeni i Radoniqit për të bërë hetime, por u bazuan në burimet serbe

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ka marrë në pyetje sot dëshmitarin e 22-të të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar të Kosovës në Gjykatën Speciale, Frederick Abrahams, i cili edhe sot ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë.

Nga pyetjet e Emmersonit, dëshmitari në fjalë i ka pranuar gabimet e tij.

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar se informatat i ka pasur nga burimet serbe dhe nuk i kishte hetuar e konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Kur Emmerson e pyeti se pretendimet e tij a i kishte marrë nga pala serbe, përgjigjja e Abrahams ishte “Po”.

“S’kemi bërë hetime në tërësi. E kam përmendur këtë, por nuk është reflektuar në mënyrë të saktë. Ne asnjëherë nuk e kemi prezantuar rastin e Gllogjanit në Liqenin e Radoniqit”, ka thënë dëshmitari.

Më pas, avokati e ka pyetur nëse dëshmitari ka shkuar në vendngjarja.

“Ne shkuam në vendin e krimit. U përpoqëm që të shkonim në Liqen…Në atë pikë që shkuam ne trupat ishin larguar dhe po mbaheshin në një hotel në një morg të sajuar dhe ne nuk u lejua që të shkuam në hotel”, ka thënë dëshmitari.

“Por ju nuk shkuar tek Liqeni?, ishte pyetja e radhës e avokatit Emmerson.

“Jo nuk shkuam atje. Shkuam te morgu i improvizuar”, është përgjigjur dëshmitari.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, zyrtari i “Human Rights Watch” vazhdon dëshminë

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”.

Abrahams është në cilësi të dëshmitarit të 22-të në këtë çështje, i cili dëshminë e ka filluar ditën e djeshme, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar Alan Tieger.

Ndryshe, dëshmia e tij është paraparë të zgjasë katër ditë dhe atë Prokuroria ka planifikuar dy orë dhe ekipet mbrojtëse 16 orë për marrjen në pyetje të tij.

Seanca po vazhdon në sesion publik.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Sot pritet të vazhdojë dëshminë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, i cili është dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ky është dëshmitari i 22-të deri më tani.

Ndryshe dje dëshmitari Agim Idrizi e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës.

Idrizi në fund të dëshmisë është shprehur i shqetësuar me komentet që ka parë në rrjetet sociale pas dëshmisë së tij një ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat