Stoltenberg vjen me një thirrje për Kosovën dhe Serbinë

Aktuale

Stoltenberg vjen me një thirrje për Kosovën dhe Serbinë

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 15:46
Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre të Ohrit

Gjatë një adresimi para gazetarëve në selinë e NATO-s, Stoltenberg përshëndeti takimin e radhës të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të zhvillohet më 14 shtator në kuadër të dialogut.

“Ne mirëpresim që hapat e fundit që janë marrë nga Prishtina për t’i ulur tensionet, duke përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave speciale të policisë në veri dhe planet për të mundësuar zgjedhjet e reja. Inkurajojmë të dyja palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO-ja mbështet fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ne e mirëpresim takimin e javës së ardhshme dhe është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura”, deklaroi Stoltenberg gjatë një konference për media.

Ndërkaq, sa i përket trazirave të fundit në veri, Stoltenberg tha se NATO-ja është çdo herë e gatshme të ndërmarrë veprimet e duhura për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Në reagim ndaj trazirave të fundit, NATO-ja ka zbarkuar qindra trupa shtesë në Kosovë dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën, po ashtu qëndrojmë të gatshëm të veprojmë për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Komanda në Kosovë është në kontakt të afërt me të dyja organizatat e sigurisë si dhe shefin e mbrojtjes në Serbi”, theksoi tutje Stoltenberg.

Po ashtu, Stoltenberg, vlerësoi që çdo zbarkim i forcave speciale në veri kërkon pajtim nga KFOR-i.

“Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar më herët në këtë vit, duke lënë 93 prej tyre të lënduar dhe kjo është plotësisht e papranueshme. Në përputhje me zotimet e Prishtinës që nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, kërkon pajtimin e pëlqimin e KFOR-it, po ashtu presim konsultime me kohë në çfarëdo zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Stoltenberg iu adresuan gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat