Bislimi: Bashkimi Evropian është destinacioni, fati e vizioni ynë

Aktuale

Bislimi: Bashkimi Evropian është destinacioni, fati e vizioni ynë

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 16:25
Bislimi

Gjatë qëndrimit në Holandë, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një bisedë me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Leiden në Hagë dhe diplomatë të rinj.

Në fjalën e tij, Bislimi foli mbi zhvillimin e Kosovës dhe progresin socio-ekonomik që sipas tij, ka njohur vendi, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit.

“Përtej barrierave me të cilat vendi është përballur, Kosova ka treguar potencialin e saj për zhvillim. Vëmendje të veçantë ka patur në rritjen e qëndrueshme dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë tek qytetarët. Zhvillimi i Kosovës u reflektua dhe në renditjet e indekseve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Sa i përket integrimit evropian, foli mbi mbështetjen e gjerë të qytetarëve ndaj anëtarësimit në familjen evropiane.

Sipas tij, me rëndësi është fuqizimi i mesazhit se Kosova, përmes dhe institucioneve të saj të maturuara e të përgatitura, është e gatshme të bëjë hapa tutje në këtë proces.

“Bashkimi Evropian është vizioni, fati e destinacioni ynë”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

“Sinjali që japin dhe raportet e përpiluara për Kosovën siç është vetë ai i Komisionit Evropian, i cili dëshmoi suksesin e vendit tonë, mund të përdoret si kriter matës për të treguar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat”, thuhet tutje në komunikatë.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi prapavijën e procesit të dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit.

Ai tha se marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushtëzime, përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat