U mblodhën me kodin “synetia”, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Aktuale

U mblodhën me kodin “synetia”, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 18:32
Momenti kur është shpallur Kushtetuta e Kaçanikut

Sot janë bërë 33 vjet që nga dita kur në Kaçanik u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Momentet dhe emocionet e kësaj seance nuk i kanë harruar as tri dekada më pas, ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës. 

Të premten e 7 shtatorit, doli në këtë vend. Këtu në hyrje të Kaçanikut, Halim Dema, kishte një mision të veçantë. Ky i fundit ishte delegat i Kuvendit të Kosovës nga ky qytet.

Por, atë ditë Kaçanikut ia kishin mësyrë gjithë delegatët shqiptarë nga e gjithë Kosova. Halim Dema, ish-delegat i Kuvendit të Kosovës.

“Unë me kolegë, delegatë të Kaçanikut, Refik Rakën, Nasër Gashi, kemi qenë të obliguar me i prit delegatët që kanë ardh prej viseve të ndryshme të Kosovës. Rrugët e Kaçanikut atë ditë ishin të mbushura me forcat policore serbe. Për këtë arsye gjithçka duhej të mbahej e fshehtë”, ka deklaruar ai.

Sipas Demës, kodi ka qenë, për një “syneti” në Kaçanik, për me kuptu që janë delegatë.

Në këtë formë, delegatët shqiptarë u orientuan drejt Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet.

Seancën e koduar si “syneti”, atëbotë do ta kryesonte, Ilaz Ramajli.

Ky i fundit nuk e harron momentin kur e hodhi në votim, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sipas rendit të ditës që ishte përpiluar, ju thashë a ka diskutim, nuk u paraqit askush për diskutim, kush është për, i ngritën krejt gishtat dhe unë konstatova njëzëri që u aprovua Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ramiz Ramajli, ish kryesues i seancës.

Por, cila ishte rëndësia e kësaj kushtetute?

“Përbën bazën kushtetute juridike të krijimit të shtetit të ri të Kosovës. Me këto akte u bë e qartë që Kosova nuk do të jetë më kurrë nën pushtetin serb”, është shprehur Ramajli.

E vendet që dikur i zunë në mesin e delegatëve të tjerë, nuk i kanë harruar as sot ish-delegatët e Kaçanikut.

I paharruar për ta mbetet momenti i votimit.

“Kur kryesuesi i seancës, Ilazi, ka thënë se kush është për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të gjithë jemi çu në këmbë prej gëzimit dhe kemi duartrokit prej gëzimit”, tha Rafik Raka, ish delegat.

E në mesin e mbi 80 delegatëve të pranishëm, 18 prej tyre ishin gra.

“Krejt jeta na u ka ndërruar në atë sekondë, unë nuk isha e martuar dhe as nuk isha fëmijë, por paramendo prej shtëpisë i lë të gjitha dhe e vazhdon një jetë ku nuk e di se ku ke me shkuar as ku ke me mbërri”, është shprehur Ilirijana Jusufi-Raka.

Të gjithë këta delegatë, pas përfundimit të kësaj mbledhje, për shkak të sigurisë, u detyruan të largohen nga Kosova.

Ndërsa 33 vjet pas, 44 prej tyre tani kanë ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat