“Familjes u kam thënë që ndoshta nuk do shihemi një kohë”, rrëfimi i delegatit që miratoi Kushtetutën e Kaçanikut

Aktuale

“Familjes u kam thënë që ndoshta nuk do shihemi një kohë”, rrëfimi i delegatit që miratoi Kushtetutën e Kaçanikut

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 18:53
Nazmi Kelmendi

Në 33-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, njëri nga delegatët e Kuvendit asokohe, Nazmi Kelmendi rrëfen momentet e miratimit të deklaratës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kelmendi thotë se organizimi është bërë në mënyrë diskrete dhe nuk ka qenë i lehtë të bëhet.

“Ne faktikisht kemi kalu nëpër sikur popullata e tërë e Kosovës, dhe një numër i madh edhe i politikanëve, edhe aktivistëve, e kanë provuar zyret e UDB-së. Dhe ne u deshtë që në mënyrë diskrete ta bëjmë organizimin, sepse fati i mirë kemi pas një Komision shumë të mirë kushtetues i cili ka udhëheq punët në Kuvend, dhe një armatë të tërë intelektualësh, juristët më të mirë të kohës, që kanë punuar në tekstin edhe aktin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës…aty ka qenë një vlerësim i mirëfilltë për lëvizjet tutje, se nuk ka qenë organizim i lehtë të bëhet. Ne i kemi mësu edhe gjitha adresat e ish-kolegëve tanë, ku banojnë, ku jetojnë, sepse jemi kanë të komunave të ndryshme dhe të dhomave të ndryshme, si përbërje e Kuvendit”, deklaroi ai.

Ai theksoi se pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut ka pasur edhe pasoja për delegatë, ku disa prej tyre kanë qenë në burg nga dy muaj.

“Disa kolegë tanë kanë qenë të paraburgosur dhe i kanë mbajt nga 60 ditë burg, siç janë delegatët e Kamenicës, profesori i ndjerë, Nazif Matoshi dhe Raif Ramabaja. Tjerët janë kërkuar nëpër shtëpia, mirëpo ne kemi qenë të detyrum që të largohemi. Një pjesë kemi shku fillimisht në Kroaci, një pjesë në Maqedoni, ndërsa pikëtakimin e kemi pas në Lubjanë”, u shpreh Kelmendi.

Tutje, ai bëri të ditur se para udhëtimit për Kaçanik, është përshëndetur me familjen dhe u ka thënë që nuk do shihen për një kohë.

“Unë fati i mirë i kam pas delegatët e Drenicës në shtëpi në Fushë-Kosovë, dhe kur kemi marrë rrugën, kemi ngrënë drekë, kemi pi çaj, dhe ndërkohë unë i kam nxjerrë rrobat e dimrit, i kam vendos në një çantë, dhe i kam vendos te një profesor, komshi i imi, që t’i bart tutje. Sepse e kemi ditë se çfarë pasoja janë. Me familje jam përshëndet dhe ju kam thënë që ndoshta nuk do të shihemi një kohë”, shtoi Kelmendi, i cili në shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut, ka qenë delegati më i ri në Kuvend.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat