Deklarata për zbarkimin e njësive speciale të Kosovës në veri, sqaron Vela

Aktuale

Deklarata për zbarkimin e njësive speciale të Kosovës në veri, sqaron Vela

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 08:28
Blerim Vela

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur disa takime me zyrtarët më të lartë të NATO-s, duke filluar me sekretarin e përgjithshëm, Jens Stoltenberg, pastaj me admiralin Rob Bauer, kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s, etj.

Lidhur me këto takime, shef i kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela, në “Lajmet fundit” në RTK, tha se në të gjitha këto takime kanë qenë prezentë bashkëpunëtorët ushtarakë dhe ata profesionalë të këtyre dy zyrtarëve të lartë të NATO-s, të cilët mbulojnë Kosovën, qoftë në aspektin e bashkëpunimit në kuadër të Zyrës për Ndërlidhje dhe Bashkëpunim të NATO-s, që ekziston në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që i ndihmon ngritjes së kapaciteteve të kësaj ministrie dhe FSK-së.

Vela, lidhur me deklarimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin me presidenten Osmani për zbarkimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, sqaroi se në atë deklarim ai i referohet shkëmbimit të letrave të vitit 2013, i cili ka të bëjë me zbarkimin e FSK-së në veriun e Kosovës.

“Pra një marrëveshje që është arritur në atë kohë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi”, derisa shtoi se është pak cinike të dëgjojmë sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të asaj kohe që të luajnë rolin e kukuvajkës dhe të thonë se paskan zbuluar diçka të re që FSK-ja të kërkojë të ketë një miratim paraprak që të shkojë në veri.

“Ata kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë në arritjen e asaj dakortësie nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, presidentja e ka diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe është qartësuar kjo situatë, që, në fakt, nuk kërkohet miratim paraprak i KFOR-it ose i NATO-s për zbarkim të Policisë në veri, por se është një kërkesë e KFOR-it për koordinim në kuadër të kompetencave që ka të bëjë me reaguesit e parë, të dytë dhe të tretë që parandalojnë ndonjë eskalim të situatës në veri”, ka deklaruar Vela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat