U patën shkatërruar më herët, ja vendi ku u bartën kazinotë e Karaçevës

Aktuale

U patën shkatërruar më herët, ja vendi ku u bartën kazinotë e Karaçevës

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 11:10
Harta

Ka muaj prej se policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë shikojnë nga largësia një aktivitet që zhvillohet në zonën neutrale në vijën kufitare Kamenicë - Bujanoc.

Së paku shtatë biznese që organizojnë lojëra të fatit, janë ndërtuar në 12 muajt e fundit në atë që njihet si territor neutral në mes të dy fshatrave - Karaçevës në anën e Kosovës dhe Breznicës në anën e Serbisë.

Sipas banorëve të zonës dhe zyrtarëve të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Bujanocit, këto objekte të lojërave të fatit janë ndërtuar në zonë neutrale, pasi qytetarët e Kosovës mund t’i frekuentojnë ato pa pasur nevojë të kalojnë nëpër procedura kufitare.

Image
Kazino

Crystal, Kometa, Flamingo, Las Vegas Casino, Star Club, Wild Casino, Casino Colosseum janë vetëm disa nga emrat e këtyre bizneseve.

Në to mund të luhet bixhoz, rulet, poker dhe mund të hidhen baste sportive.

Më 4 shtator, derisa Radio Evropa e Lirë ishte e pranishme në zonë, u panë vetura të ndryshme para këtyre objekteve, ani pse policia e Kosovës ishte e vendosur rreth 1.5 kilometra larg, në kodrën mbi fshatin Novoselë, ndërsa policia e Serbisë qëndronte rreth 350 metra distancë ajrore, në pikën statike në hyrje të fshatit Breznicë, në anën e Serbisë.

Veturat që shiheshin derisa hynin e largoheshin pa u penguar nga këto objekte, ishin kryesisht me targa “RKS” - Republika e Kosovës.

Image
Kazino

Prania, siç thuhet, e madhe e njerëzve që frekuentojnë këto lojëra të fatit, paraqet shqetësim për banorët si në anën e Kosovës, ashtu edhe atë të Serbisë.

Një banor i zonës kufitare që jeton në anën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa ku janë ndërtuar objektet e këtyre lojërave, është bërë e rrezikshme për t’u kaluar.

Image
Kazino

Ai kërkoi t’i fshihet identiteti, pasi, siç u shpreh, ka shumë familjarë në fshatrat e Bujanocit dhe ka frikë se mund të përballen me probleme nga pronarët e lojërave të fatit.

“Është shumë rrezik. Ka njerëz të rrezikshëm aty. Të gjithë [pronarët] janë nga Kosova, përveç njërit që është serb, që ka lidhje me shtetin [e Serbisë]”, thotë ky banor, por pa dhënë detaje se ku i bazon këto informacione.

Në Komunën e Kamenicës thonë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa për ndalimin e punës së këtyre kazinove.

“Është shqetësim për Komunën e Kamenicës, për shkak se ato veprojnë në afërsi të komunës sonë, sepse janë në zonën neutrale. Kjo është një veprimtari që është e ndaluar me ligj te ne dhe kemi ankesa të vazhdueshme të qytetarëve të kësaj ane”, thotë Lidiona Marovca, zëdhënëse e Komunës së Kamenicës, për Radion Evropa e Lirë.

Organizimi i lojërave të fatit në territorin e Kosovës është ndaluar me ligj nga marsi i vitit 2019.

Në Serbi, organizmi i lojërave të fatit lejohet dhe bizneset që e ushtrojnë këtë aktivitet, licencohen në Ministrinë e Financave, pranë Autoritetit të Lojërave.

Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në këtë institucion, për të konfirmuar nëse ndonjëri nga bizneset që funksionojnë në vijën kufitare mes Kosovë dhe Serbisë, ka licencë për operim, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Pyetjes së njëjtë nuk iu përgjigj as Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Arifi: Kazinotë operojnë jashtëligjshëm

Por, kryetari i Komunës së Bujanocit në Serbi, Nagip Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto kazino veprojnë ilegalisht.

Sipas tij, këto biznese nuk i kanë lejet e nevojshme për të operuar, përfshirë lejet e ndërtimit.

“Është e vërtetë se janë ndërtuar disa kazino, por asnjëra prej tyre nuk ka leje. Lejet për kazino jepen në Republikën e Serbisë, i jep Ministria e Financave, kurse lejet e ndërtimit i jep pushteti lokal. Por, asnjë kazino nuk ka leje të ndërtimit, kështu që ne i kemi alarmuar organet republikane”, thotë Arifi.

Për ekzistencën e tyre, ai thotë se ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe atë të Financave, në kuadër të së cilës funksionon Autoriteti i Lojërave.

“Organet shtetërore të [Republikës së Serbisë] nuk marrin masa. Ato, sigurisht, e dinë interesin e vet. Sigurisht, e kanë llogaritur lejimin e kazinove si interes shtetëror, sepse aty nuk ka vetëm kazino, por bëhen edhe punë të tjera, të cilat ndoshta e rrezikojnë Republikën e Kosovës”, thotë Arifi, pa dhënë detaje se për cilat punë e ka fjalën.

Vetëm para pak ditësh, thotë ai, këto objekte janë lejuar të kyçen në rrjetin energjetik në Bujanoc.

Deri në fillim të shtatorit, këto biznese, për shkak të afërsisë me Kosovën, kanë qenë të kyçura ilegalisht në rrjetin energjetik të Kosovës, derisa Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike - KEDS ka bërë shkyçjen.

Ani pse funksionojnë në pjesën e Serbisë, kabllot i kanë pasur të lidhura në disa shtëpi që gjenden rreth 50 metra larg në territorin e Kosovës.

Nga Kosova kaluan në Serbi

Nga fundi i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2020, së paku 12 lokale që organizonin lojëra të fatit, funksionuan në këtë zonë, në pjesën e Kosovës. Dhjetë deri në 100 metra ishte largësia e tyre nga vija që ndan Kosovën me Serbinë, në anën e Kosovës.

Për shkak të disa incidenteve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e fshatit Karaçevë, institucionet e Kosovës morën vendim për rrënimin e tyre, në shtator të vitit 2020.

Ndërtimi, rrënimi dhe rindërtimi i kazioneve në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë

Në këtë operacion u arrestuan 33 persona - në mesin e tyre edhe dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës.

Të arrestuarit u akuzuan për “veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim të mallrave dhe aktivitete të tjera kriminale”.

Fshati Novoselë ku është e vendosur policia e Kosovës.

Vija e kuqe në mes ndan Kosovën nga Serbia dhe, siç shihet në këtë hartë të vitit 2020, asnjë objekt nuk ka qenë i ndërtuar në zonën neutrale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zhvendosja e kazinove nga Kosova në Serbi

Sipas pamjeve satelitore të ofruara nga platforma “Google Earth Pro”, në muajin gusht të të njëjtit vit filloi ndërtimi i objektit të parë në zonën neutrale në anën e Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se nga të dhënat që posedojnë, “në territorin e Republikës së Kosovës nuk ka ndonjë objekt që shfrytëzohet për qëllime të kazinove” në zonën kufitare në Karaçevë.

Banorët e Breznicës të shqetësuar

Prania e këtyre objekteve kazinosh, për disa banorë të fshatit Breznicë të komunës së Bujanocit në Serbi paraqet shqetësim serioz.

Nazim Hajdini thotë se ka kërkuar vazhdimisht nga pushteti lokal në Bujanoc, por edhe nga ai qendror në Beograd që të ndërmarrin hapa për pengimin e këtij aktiviteti, për të cilin shprehet i bindur se është ilegal.
“Ne, fshati ynë, udhëtojmë pranë atyre kazinove çdo ditë. Aty ka pasur shumë incidente. Ne kalojmë me familje aty dhe mund të pësojmë. Aty ka rrezikshmëri të lartë”, thotë Hajdini.

Ai tregon se, në të kaluarën, ka qenë administrator i fshatit dhe se kërkesë për t’i mbyllur këto kazino ka bërë edhe zyrtarisht., thotë Hajdini.

Radio Evropa e Lirë pyeti misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, nëse ka ndonjë përgjegjësi sa i takon vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sidomos zonës neutrale mes dy shteteve, por nuk mori përgjigje.

Një shenjë në Karaçevë që tregon për vendin ku gjenden pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në këtë vijë kufitare ka pasur disa incidente dhe aksione të policisë kundër kontrabandës me mallra, kontrabandës me kafshë dhe trafikimit me njerëz.

Që nga aksionet e para për mbylljen e lojërave të fatit në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Karaçevë, penalisht janë proceduar më shumë se 90 persona të arrestuar në aksione të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat