Forenzika pranon pajisje të specializuara, pritet t’iu ndihmojë në ndriçimin e rasteve

Aktuale

Forenzika pranon pajisje të specializuara, pritet t’iu ndihmojë në ndriçimin e rasteve

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 12:28
Kryeshefi i AFK-së, Blerim Olluri dhe Blerim Gashani

Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka pranuar sot një donacion të pajisjeve të specializuara nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, që do të shërbejnë në avancimin e ekzaminimeve forenzike dhe balistike.

Kryeshefi i AFK-së, Blerim Olluri tha se këto pajisje janë mikroskopike dhe boroskopike që do t’iu ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të vështira për zbulimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre.

Olluri: Këto pajisje do të na ndihmojnë shumë

“Këto pajisje jo vetëm që do të mundësojnë të përmirësojmë aftësitë tona të ekspertizës sonë balistike por gjithashtu do të ndikojnë thellësisht në cilësinë e punës sonë dhe kontributin për drejtësinë dhe sigurinë e vendit tonë. Këto mikroskop dhe baroskop që kemi marrë donacion janë pajisje më të vërtet të specializuara dhe të avancuara teknologjike që do të forcojnë edhe më tutje në ndriçimin dhe rrugën për zgjidhjen e çështjeve të vështira dhe të rëndësishme për zbulimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre”, tha ai.

I lumtur me këtë donacion u shpreh edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, i cili nënvizoi se prioritet i tyre është zbatimi i strategjisë nacionale për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.

Gashani: Prioritet i joni është zbatimi i strategjisë nacionale për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta

“Një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në veçanti është zbatimi i strategjisë nacionale për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta. Po ashtu, realizimin në përpikëri që shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova ka marrë, kur ka nënshkruar dhe është zotuar për zbatimin e udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në vendet rajonale deri në vitin 2024. Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zbatojë udhërrëfyesin e planit rajonal sepse konsiderojmë se përmes tij Kosova kontribuon në avancimin e sigurisë nacionale por edhe rajonale”, theksoi Gashani.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, tha se shpreson që këto pajisje të ndihmojnë AKF-në avancimin e ekzaminimeve forenzike dhe balistike.

Queiros: Pajisjet ofrojnë ekspertizë të posaçme në ekzaminimet forenzike dhe balistike

“Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka treguar profesionalizëm dhe ekspertizë posaçërisht në fushën balistike të ekzaminimeve të armëve të zjarrit. Përmes përpjekjeve të tyre dhe qasjes së tyre të pakursyer e ka themeluar vetën si resurs jetik dhe të besueshëm. Profesionalizmi luan një rol thelbësor në AKF që të kemi dëshmitë vitale apo jetike në identifikimin e armëve të zjarrit të cilat janë përdorur në aktivitetet kriminale”, tha ai.

Më pas u prezantuan edhe pajisjet, ku ekspertët e forenzikës demonstruan mënyrën e përdorimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat