​Tahiri - Qeverisë Kurti: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, po heshtni

Aktuale

​Tahiri - Qeverisë Kurti: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, po heshtni

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 12:28
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e kësaj partie që nuk do të marrin pjesë në asnjë votim. Ai ka hedhur akuza e kritika për qeverisjen tri-vjeçare të Qeverisë Kurti, ku mes tjerash deklaroi se angazhimi i PDK-së mbetet që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjatë seancës plenare, deputeti Abelard Tahiri u shpreh se produkt i kësaj qeverisje është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Dehariti, për çka tha se Lëvizja Vetëvendosje po hesht.

Tahiri: Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit

“Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit. Kjo është e pa tolerueshme se si heshtni ju dhe merrni mbështetje keqbërësit, kryerësit e kësaj vepre. Prandaj ne si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të ju mbështesim në asnjë rrethanë, në asnjë votim, në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në asnjë projektligj. Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt. Kjo legjislaturë të shkojë në shtëpi sa më shpejt, mandati t’i kthehet qytetarëve dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se për tri vjet qeverisje, produkt i pushtetit kanë qenë edhe keqpërdorimet dhe korrupsioni.

Tahiri: Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni

“Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni galopan në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Me kontrata njëburimore që janë burim i korrupsionit e që si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Nagip Krasniqi, arrin vlerën hiç më pak se rreth 75 milionë euro. Kontrata këto të cilat padyshim se s’kishte si të përfundonte ndryshe veçse ky zotëri të përfundonte në Dubravë, aty ku është sot”, deklaroi Tahiri.

Në mesin e kritikave dhe akuzave, Tahiri ka përmendur edhe zyrtarin e LVV-së, Faruk Mujku, për të cilin tha se është i arrestuar për korrupsion. Po ashtu, ka përmendur edhe hetimet për rezervat shtetërore.

Tahiri: Produkt i qeverisjes tuaj për këto tri vite është vjedhja e rezervave shtetërore

“Produkt i qeverisjes tuaj për këto tri vite është vjedhja e rezervave shtetërore, përmes mikut të kryeministrit, Ridvan Muharremi. Të cilit i besohen hiç më pak se 10 milionë euro për të blerë rezerva shtetërore. Pra, vidhet në vaj, vidhet në grurë, vidhet në sheqer. Produkt i qeverisjes suaj janë edhe kontratat njëburimore të cilat do t’i elaborojmë ditëve në vijim në trashëgimi kulturore, të cilat do t’i prezantojmë një nga një. Dhe qytetarët do t’i shohin se si vidhet buxheti në emër të restaurimit në trashëgimi, si vidhet në emër të kullave të dëshmorëve, e në emër të kulturës tonë”, u shpreh ai.

Veç tjerash, në deklarimin e tij Tahiri akuzoi pushtetin për bashkëpunimin me Milan Radojiçiqin.

Tahiri: Bashkëpunim i ngushtë me Milan Radojiqiq,

“Produkt i kësaj qeverisje është bashkëpunimi i ngushtë me njeriun i cili ndiqet nga institucionet ligjzbatuese në Republikën e Kosovës. Është bashkëpunimi me Milan Radojiçiqin, i cili njëherit është edhe në listën e zezë të ShBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar, nga i cili kërkohet mbështetja e mazhorancës, për njërin nga gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, e që fatmirësisht nuk e lejuam ne deputetët e opozitës”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri përmendi edhe ambasadorin Martin Berishaj, ku tha se i njëjti vazhdon të ketë imunitet diplomatik me përkrahje të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Ai shtoi se për “tri vite qeverisje anemike”, nuk janë shënuar momente suksesi e progres nga qeverisja aktuale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat