​Konjufca: Ndërkombëtarët nuk po japin garanci që Serbia s’do t’na e minojë shtetësinë

Aktuale

​Konjufca: Ndërkombëtarët nuk po japin garanci që Serbia s’do t’na e minojë shtetësinë

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 15:36
Glauk Konjufca

Kosova nuk ka asnjë obligim për t’i dhënë një asociacion të komunave me shumicë serbe Serbisë pa marrë garanci se kjo e fundit nuk do ta përdorë këtë mekanizëm për të minuar shtetësinë e Republikës. Kështu deklaroi sot kryeparlamentari Glauk Konjufca, ku kritikoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk po jep garanci të fuqishme, por vetëm fjalë goje.

Në një deklaratë për media pas shënimit të Ditës së Demokracisë, Konjufca tha se Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës.

Sipas tij, është e pakuptimtë të themelohet kjo bashkësi e komunave me shumicë serbe kur Serbia ka ndërtuar pothuajse 50 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën.

“Është pranuar prej qeverive të kaluara, ne nuk mund ta kthejmë ne zero atë proces.  Ne e kuptojmë që Kosova nuk ka kapacitete me kthyer në zero atë proces. Por në mënyrë që ta realizojmë ne obligimin tonë, qa mund të na garantoni që Serbia nuk do ta përdorë këtë mekanizëm për të minuar shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk po jep garanci, ajo duhet të jep garanci të fuqishme dhe jo vetëm fjalë goje. Se për fjalë goje na thanë serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet ne komunat e Veriut dhe nuk morën pjesë në zgjedhje. Një komunitet prej disa mijërash nuk kaq fuqi Bashkësia Ndërkombëtare ta detyrojë të përfshihet në procesin politik. Atëherë çfarë po kërkoni më shumë? Neve na kërkohen garanci të fuqishme. Cila ka qenë garancia? Garancia ka qenë marrëveshja e Ohrit, 'Serbia iu njeh defacto, e ndryshon sjelljen e vet, ju jeni dy shtete, funksioni si dy shtete, na e njeh flamurin, na i njeh simbolet, na i njeh dokumentet, na i njeh shkëmbimet tregtare, nuk ka pozicionim armiqësor', pastaj ne është lehtë ta bëjmë obligimin e 2013-ës, shumë lehtë është se ‘Serbia po ndryshon’. Por, nëse e kemi këtë Serbi që të kërcënon me ushtri, ku i ndërton 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovës, si t'ia japim një asociacion shtesë. Kjo është gabim”, tha Konjufca.

Sipas tij, ndërkombëtarët nuk po i bëjnë presion mjaftueshëm Serbisë, prandaj ajo po ndjehet komode për t’i ruajtur pozicionet e tilla armiqësore ndaj Kosovës.

"Ne e kuptojmë atë pjesën e obligimit që e ka Kosova. Por, të njëjtën kohë ne mendojmë që ky obligim për Kosovën është i pavlefshëm për sa kohë që Serbia është në këtë përcaktim shumë armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. Ne kemi arsye të bollshme, të mjaftueshme dhe argumente goxha të qëndrueshme që një asociacion etnik, i cili do të kontrollohej prej Beogradit pa njohjen e Kosovës, do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës. Veç kaq mendojmë, dhe mendoj që kemi shumë argumente të fuqishme që kjo do të ndodhte po të krijohej asociacioni në këto kushte ku ministri i Mbrojtjes ë kërcënon Kosovën që do t'ia bëjë sikur Ukrainës Rusia, dhe të themelojë asociacionin. Kjo nuk shkon, këtë po e kërkon Evropa... Përndryshe, Kosova nuk ka kurrfarë obligimi që t’ia jep një asociacion Serbisë dhe pastaj ne të mbetemi të panjohur nga ana e Serbisë dhe të luftohemi. Kjo do të ishte katastrofike për Kosovën, kjo do të kishte pasoja të rënda”, vijoi Kunjufca. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat