Kosova përfiton grantin rreth 35 milionë dollarësh nga USAID – krejt çka thanë dje ambasadori Hovenier dhe presidentja Osmani

Aktuale

Kosova përfiton grantin rreth 35 milionë dollarësh nga USAID – krejt çka thanë dje ambasadori Hovenier dhe presidentja Osmani

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 09:07
Nënshkrimin e bëri Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, bashkë ushtruesën e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler. Në ceremoni, prezent ishte edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

Dje u nënshkrua marrëveshja e grantit për objektiva zhvillimore në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarëve, në mes të Kosovës dhe USAID’it.

Nënshkrimin e bëri Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, bashkë ushtruesën e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler. Në ceremoni, prezent ishte edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Në një konferencë të përbashkët për media, ambasadori Hovenier tha se, që nga viti 1999, ShBA-ja ka investuar më tepër se 2 miliardë dollarë në Kosovë.

“Gjithashtu, mendoj se është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, SHBA-ja ka investuar më shumë se 2 miliardë dollarë në Kosovë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID. Besoj që ky është përkushtimi i popullit tonë ndaj popullit kosovar siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”, tha ai.

Hovenier konfirmoi se lidhja e SHBA-ve me popullin e Kosovës është e qëndrueshme derisa shtoi se marrëveshja e nënshkruar sot mbështet qëllimet strategjike të vendit.

“Konfirmojmë sërish partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës dhe ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

Kurse presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Po ju drejtohem pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Së bashku me SHBA-në nënshkruam marrëveshjen për grantin për zhvillim. Si rezultat i saj do të kemi në dispozicion 35 milionë dollarë, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës për gjithë qytetarëve”, tha ajo.

“Kjo marrëveshje është vazhdim i përkrahjes së SHBA-së ndaj Kosovës. Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës ju falënderoj përzemërsisht”, tha Osmani në konferencë.

Për këtë marrëveshje presidentja ka shkruar edhe në Facebook.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, në shumën prej gati 35 milion dollarësh, është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Mirënjohës për vendosmërinë e palëkundur të Shteteve të Bashkuara që të jenë krah nesh në përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë të orientuar kah zhvillimi i përqendruar në nevojat e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat