Hamiti: Me Kurtin kryeministër, Kosova po e humb argumentin me bashkësinë ndërkombëtare

Aktuale

Hamiti: Me Kurtin kryeministër, Kosova po e humb argumentin me bashkësinë ndërkombëtare

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 14:48
Muhamet Hamiti

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka bërë një reagim pas konferencës së kryeministrit, Albin Kurti të mbajtur të hënën ku ndër tjerash foli edhe për takimin rreth dialogut në Bruksel.

Hamiti ka thënë se Qeveria Kurti e ka humbur argumentin me perëndimin në raport me dialogun me Serbinë.

“Qysh bëhet që kryeministri i Kosovës nuk po ia del t’i bindë miqtë dhe aleatët tanë për drejtësinë e politikave të Qeverisë së vet, më saktë për kursin që po e ndjek në dialogun me Serbinë? Nuk janë të mira, apo s’po di t’i paraqesë si të mira? Paradoksalisht, siç po thotë vetë Albin Kurti e po habitet: sa më konstruktiv e më kreativ që po bëhet në këtë proces dialogu, aq më keq për të, rrjedhimisht për pozitën e Kosovës! Ndërmjetësuesi i BE-së, Llajçaku – po thotë Kurti – po koordinohet me Vuçiqin, është në anën e Serbisë. Që i bjen: është kundër Kosovës!”, shkroi Hamiti.

Pse Qeveria, pyet ai, ’më demokratike në Ballkanin Perëndimor’, siç po e quan veten kjo e jona, po e humb argumentin me Perëndimin demokratik e po e fiton regjimi më autokratik në rajonin tonë, Serbia?”.

“Të përkujtojmë, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare. Serbia jo. Me Albin Kurtin kryeministër, Kosova po e humb argumentin me bashkësinë ndërkombëtare. Duke ofruar zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara kur ishte në opozitë – siç bëjnë popullistët kudo, jo rrallë me sukses – Albin Kurti i bindi votuesit te ne. Tash s’ka zgjidhje as për probleme të thjeshta, lëre më të ndërlikuara. Askë tjetër s’po e bind, siç po shihet. Prandaj, jemi ku jemi: më keq se kurdoherë në marrëdhënie me botën”, tha Hamiti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat