Ish-këshilltari i Obamas: Kurti dhe Vuçiq po luajnë me ndjenjat e popujve

Aktuale

Ish-këshilltari i Obamas: Kurti dhe Vuçiq po luajnë me ndjenjat e popujve

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 21:02
Charles Kupchan

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, lëshoi komente të ashpra në drejtim të ndërmjetësuesit të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Këtë të fundit kryeministri kosovar e akuzoi se po e mban anën e Serbisë ne dialog me Kosovën.

Madje, Kurti e ka cilësuar si të padrejtë presionin që po i bëhet Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Por sipas ish-këshilltarit të ish-presidentit Obama, Charles Kupchan presioni ndaj Kosovës nuk është krejtësisht i pajustifikueshëm.

“Po, mendoj se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mund të justifikohet deri në një pikë sepse gjatë periudhës së fundit me të vërtetë ka pasur më shumë presion dhe kritika ndaj qeverisë së tij se sa ndaj Beogradit. Madje disa ligjvënës amerikan dhe evropian janë të mendimit se Vuçiq është ai që duhet të fajësohet më shumë për tensionet ne veri. Megjithatë sa më përket mua, presioni ndaj Kurtit nuk është krejtësisht pajustifikueshëm sepse ai e ka provokuar situatën në veri me instalimin me forcë të kryetarëve të rinj, pavarësisht faktit se ato veprime mund të kenë qenë legale”, ka deklaruar Charles Kupchan.

Kupchan thotë që Kurti duhet të lëvizë me hapa në drejtim të formimit të asociacionit.

Por sipas profesorit amerikan, kryeministri kosovar ka zgjedhur një rrugë tjetër.

“Asnjëra palë nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit. Nuk mundet kryeministri Kurti të thotë se nuk do të bëjë hapa para për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai duhet të filloj me zbatimin e kësaj marrëveshje dhe më pas të diskutoj për mënyrën se si do të duket ky Asociacion. Por duket se rruga që e ka zgjedhur kryeministri Kurti është që të luaj me ndjenjat e publikut vendas. Ne e dimë që nacionalizmi dhe të qenit konfrontues “shitet mirë” tek populli por kjo do të ketë një kosto në fund”, ka thënë ai.

Si nacionalist Kupchan e përshkruan edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për të është shqetësues fakti që Vuçiq vazhdon të jetë akoma i afërt me Rusinë.

“Mendoj se edhe ndaj Serbisë duhet të rritet presioni sepse Aleksandar Vuçiq është një lojtarë i vështirë. Gjithashtu edhe ai e përdor nacionalizmin për të luajtur me emocionet e popullit serb. Për mua përbën shqetësim fakti që ai ka akoma lidhje të ngushta me Rusinë dhe shumë anëtar të partisë së tij janë pro rusë. Prandaj as ai nuk është i gatshëm për marrëveshje me Kosovën pa një presion të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar”, është shprehur Kupchan.

Kurti dhe Vuçiq për dy vite kanë zhvilluar plotë tetë takime pa nënshkruar asnjë marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat