Haliti: Masat e BE-së s’kanë të bëjnë me dialogun

Aktuale

Haliti: Masat e BE-së s’kanë të bëjnë me dialogun

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 22:22
Enver Haliti

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti ka deklaruar se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën nuk kanë të bëjnë me procesin e dialogut.

Sipas Halitit, këto masa janë vendosur për shkak të situatës në katër komunat veriore në Republikën e Kosovës.

“Masat nuk kanë të bëjnë me dialogun, masat janë për situatën në veri në katër komunat veriore, s’ka të bëjë me procesin e dialogut, mos t’i përziejmë këto dy gjëra. Çështja e zgjedhjeve s’ka të bëjë me bisedimet në Bruksel, çështja e shkuarjes në zgjedhje në komunat veriore është çështje e ndarë. Edhe masat kanë ndodhë shkaku i situatës në komunat veriore”, tha ai.

Kurse sa i përket kritikave ndaj qeverisë për moskoordinim me faktorin ndërkombëtarë, deputeti i VV-së, tha “unë po besoj që i kemi dëgjuar mjaftueshëm”.

Madje sipas tij, shteti i Kosovës nuk ka bërë asnjë hap të papranueshëm që të shtyejë partnerët ndërkombëtarë që të vendosin masa.

“Bile për katër komunat veriore, ju e dini mirëfilli se nëse kthehemi në kronologji të ngjarjes e shohim se janë të njëjtit partnerë ndërkombëtarë, shtyerja e zgjedhjeve, afati shtesë për regjistrimin e partive serbe, organizimi i zgjedhjeve në mënyrë demokratike pa asnjë incident të vetëm, pranimi i atyre rezultateve të zgjedhjeve, pranimi i kryetarëve të ri, mirëpo tash… këtu e shohim që Kosova nuk ka bërë asnjë hap të papranueshëm ose që ka shty partnerë ndërkombëtarë që të vendosin masa”, shtoi Haliti.

Ndryshe, masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, mund të hiqen ose shtohen, por kjo varet nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Kështu i tha REL një burim në Bruksel, që shtoi se për çështjen e masave, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë rundit të fundit të dialogut më 14 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat