Statovci: Tryeza e bisedimeve në dialogun Kosovë-Serbi është e pabalancuar

Aktuale

Statovci: Tryeza e bisedimeve në dialogun Kosovë-Serbi është e pabalancuar

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 22:27
Jeta Statovci

Deputetja e Listës Guxo në Kuvendin e Kosovës, Jeta Statovci, ka thënë se tryeza e diskutimeve në dialogun Kosovë-Serbi është e pabalancuar, për faktin se përballë ka përfaqësues të cilët vijnë nga shtetet mosnjohëse.

Statovci ka thënë se tendenca e kësaj tryeze është që Kosova të merr përsipër të gjitha obligimet, derisa Serbia t’i shkel të gjitha marrëveshjet një ditë më vonë.

“Tryeza e diskutimeve ne e dimë që është e pabalancuar për faktin që përballë ka përfaqësues të cilët faktikisht vijnë nga vende mos-njohëse. Tendenca që Kosova në të drejtën e saj të pozicionohet në një rrafsh kur merr përsipër të gjitha obligimet kurse përballë e ka një palë e cila të nesërmen nuk e pret për ta shkelur një marrëveshje, nuk kalojnë 3 muaj për t’i shkelur tetë nene nga 11 marrëveshje e e cila gjithashtu është faktori kryesor i destabilitetit në Ballkan. Ne e dimë që kemi pasur komunikata edhe nga ministri i Serbisë i cili kërcënon edhe Maqedoninë e Veriut, edhe Malin e Zi në raport me Kosovën”, ka deklaruar Statovci.

Ajo ka thënë se nuk mundet që çfarëdo qasje e Kosovës në raport me Serbinë të shkoj në dëm të Kosovës.

“Si mund Kosova, çfarëdo qasje e cila duhet të jetë në raport me Serbinë nga ana e BE-së, nuk duhet të shkoj në kurriz të Kosovës e cila faktikisht ka dëshmuar përpos maturinë diplomatike, edhe seriozitetin në raport me obligimet e marra në vazhdimësi. Andaj mendoj që ky ka qenë poezi i duhur i Kosovës”, u shpreh Statovci.

Ndërsa e pyetur nëse masat e BE-së ndaj Kosovës kanë shkuar në dëm të shtetit, Statovci ka thënë se masat nuk kanë të bëjnë me dialogun por siç është shprehur ajo, me një proces krejt legjitim.

“Masat absolutisht nuk kanë të bëjnë me çështjen e dialogut, kanë të bëjnë me një proces tjetër i cili, në qoftë se e gjykon nuk mund ta gjesh asnjë hap të gabuar përgjatë këtij procesi”, u shpreh deputetja Statovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat