Zekaj: Shteti ka dështuar t’i parandalojë rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë

Aktuale

Zekaj: Shteti ka dështuar t’i parandalojë rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 17:53
Yll Zekaj

Avokati Yll Zekaj, e ka fajësuar shtetin i cili sipas tij ka dështuar t’i parandaloj rastet e fundit të vrasjeve që po ndodhin në Kosovë.

Ai ka thënë se shumica e kryerësve të vrasjeve kanë pasur vepra të tjera penale në të kaluarën të cilat sipas tij ka dështuar shteti që t’i trajtojë si duhet.

“Shteti duhet të garantoj jetën e një personi, çdo vrasje që ndodh duhet të shohim nëse shteti ka dështuar ta mbroj jetën e viktimës, apo shteti ka plotësuar obligimet e veta ligjore dhe nuk ka mundur të evitohet. Ajo çfarë sh0ohim në shumicën e vrasjeve, rastet janë në rritje, në shumicën e rasteve shteti po dështon ta parandaloj kryerjen e një vepre kaq të rëndë siç është vrasja”, tha ai.

“Shteti paraprakisht ka dështuar në raste paraprake që kanë pasur këta kryerës të veprave penale, në 90% të rasteve kryerësit nuk e kanë veprën e parë penale që është vrasje, por kanë pasur vepra të tjera që shteti ka dështuar t’i trajtojë. Në vepra paraprake të arrij qëllimi i dënimit”, ka vijuar ai.

Zeka e përmendi rastin e Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, i cili dyshohet se para disa muajsh e ka vrarë një shtetas të Shqipërisë. Zeka tha se “Kobra”, i kishte mbi 16 vepra të mëhershme penale, të cilat ka dështuar shteti t’i trajtojë.

“Ka pasur shumë raste që janë trajtuar në mënyrë joefikase. Në cilido rast që e marrin kohëve të fundit e shohim që kryerësit e veprës janë recidivist. Në rastin Kobra, të dyshuarit ka pasur 16 vepra të mëhershme, që shteti ka dështuar t’i trajtojë si duhet”, tha ai.

Zeka i përmendi edhe vendimet e gjykatave për dënime të ulëta, të cilat sipas tij ndikojnë që të shtohen veprat kriminale.

“Sistemi ynë gjyqësor jep vendime të ulëta, e të cilat pastaj nuk e arrijnë këtë qëllim të cilin janë dhënë. E sot kemi mijëra armë në duart e qytetarëve të cilat pastaj me lehtësi mund të kryejnë me lehtësi vepra më të rënda penale siç është vrasja”, tha ai.

Kosova në 9 muajt e fundit është tronditur nga dhjetëra vrasje, të cilat kanë ndodhur nga 1 janari i vitit 2023 deri më datën 20 shtator të të njëjtit vit.

Bazuar në të dhënat statistikore të Policisë së Kosovës, në Kosovë, për periudhën janar-shtator të këtij viti janë kryer 22 vrasje, ku 12 prej tyre janë cilësuar si “vrasje e rëndë”.

Të dhënat e Policisë së Kosovës në raport me vrasjet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe kohore në Kosovë janë pothuajse të barabarta në raport me gjithë vitin 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat