ShSKUK dhe QKUK me statut të ri

Aktuale

ShSKUK dhe QKUK me statut të ri

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 18:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u takuan me drejtorin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi dhe drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, Mentor Zejnullahu.

Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar, ndërsa shprehi gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen.

Në këtë takim, ministri Vitia e njoftoi kryeministrin Kurti për punën në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projektet e reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimet në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së performancës, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjithashtu, Kryeministrin Kurti u njoftua edhe për hartimin e statutin e ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi e njoftoi për ecurinë e realizimit të planit të Qeverisës në fushën e shëndetësisë dhe për transformimin infrastrukturor të disa klinikave që do të rrisin gamën e shërbimeve dhe do të përmirësojnë kushtet për qytetarët.

Ai paraqiti një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve humane dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme.

Njëkohësisht, në këtë takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor.

Temë e posaçme ishte edhe  ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, ndërsa kryeministri Kurti u njoftua edhe për ngritjen e mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes së proceseve dhe respektimit të orarit të punës, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat