Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës

Aktuale

Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 18:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në tryezën ​me temën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij Kryetari Konjufca tha se sot gjuha e urrejtjes është një fenomen global i cili po sfidon secilin shtet të botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit demokratik. Ai tha se Kosova si shtet i ri dhe demokratik është duke u përballur me përhapje të hovshme të gjuhës që nxit urrejtje dhe që cenon dinjitetin njerëzor dhe integritetin e tij.

Me këtë rast kreu i Kuvendit potencoi se ka raste kur edhe politikanët nuk kanë arritur te jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes.

“Konsideroj se përgjegjësia bie mbi çdo përfaqësues politik, që jo vetëm ta dënojmë gjuhën e cila nxit urrejtje, por edhe t’i ftojmë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që kemi në mendime, në qëndrime dhe në përfaqësimin e vlerave të ndryshme”, tha kryetari Konjufca.

Edhe pse Kosova sipas kryetarit Konjufca në përgjithësi ka legjislacion të avancuar në këtë drejtim, përvoja e deritashme ka dëshmuar nevojën për t’i përforcuar mekanizmat.

“Kuvendi i Kosovës aktualisht është në procedurë të hartimit të Kodit të Etikës, dhe do t’u ndihmojë përfaqësuesve të popullit në krijimin e praktikave demokratike të komunikimit, në mënyrë që ato të jenë me të kontrolluara, më të standardizuara dhe të mos lejojnë përdorimin e shprehjeve të tilla, që më vjen keq që ndonjëherë do të mund t’i keni dëgjuar edhe në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh kryetari Glauk Konjufca.

Kryetari Konjufca u bëri thirrje të gjitha shtyllave të shtetit që bashkërisht të krijojnë klimë të përshtatshme për secilin qytetar të Kosovës e sidomos për ata që kanë qenë viktima të gjuhës së urrejtjes, që t’u ofrohet mundësia e raportimit sa më të shpejtë të rasteve në organet e drejtësisë.

Në lidhje me këtë temë në tryezë foli edhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Avokati i Popullit Naim Qelaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe aktivistë të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat