Stano: Qëndrimi i BE-së është i qartë, Asociacioni duhet të themelohet pa parakushte dhe pa vonesa

Aktuale

Stano: Qëndrimi i BE-së është i qartë, Asociacioni duhet të themelohet pa parakushte dhe pa vonesa

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 13:52
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur edhe sot qëndrimin e BE-së se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet  pa parakushte dhe vonesa.

“Qëndrimi i BE-së është i qartë – Asociacioni duhet të formohet pa parakushte dhe vonesa. Palët i dinë detyrimet e tyre”, tha Stano sot në një konferencë për media.

Ai po ashtu  foli për arrestimet e fundit në veri, teksa tha se Bashkimi Evropian po i përcjell nga afër ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe po mbledh informacione, si dhe se do të reagojë në përputhje me rrethanat.

“Pozicioni i BE-së dhe 27 vendeve anëtare për situatën është shprehur shumë qartë në deklaratë, aty thotë gjithçka. Ne jemi duke monitoruar situatën, jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë dhe autoritetet kompetente”, tha Stano.

Stano ka thënë se është në kontakt me autoritetet në Prishtinë për të marrë të gjitha informacionet për arrestimet e fundit të serbëve në veri të Kosovës, nën akuzën e kryerjes së krimeve të luftës.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë ditës së djeshme ka përsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër hapat e parë që duhet t’i ndërmarrë Kosova për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të arritur në Ohër me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Nëse e dëgjoni më vëmendje atë që ka thënë Josep Borrell pas takimit në Bruksel, ai ka thënë se si rrugë përpara janë dy pista paralele. Nevoja për të ecur përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj”.

“Dhe kjo është gjëja kryesore që ne ja kemi kërkuar Kosovës. Është gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ne ja kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Por njëkohësisht do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizim të marrëdhënieve”, ka deklaruar Hovenier për REL.

Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat