Kurti: Reciprociteti për pakicat, formula e vetme afatgjate në Ballkan

Aktuale

Kurti: Reciprociteti për pakicat, formula e vetme afatgjate në Ballkan

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 17:52
Foto ilustrim nga vendngjarja

“Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkanin Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon”. Kështu është thënë në një takim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi me një delegacion të përfaqësuesve politikë të boshnjakëve dhe të shqiptarëve në Serbi.

Këtë delegacion kryeministri Kurti e priti ​së bashku me këshilltaren politike, Ardita Sinani, ndërsa në takimi ishin, kryetari i Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Sulejman Ugljanin, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihoviq, Selma Kuceviq, Ado Kameniscanin, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje. Përfaqësuesit e Boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që i bëhet atyre. Ndërsa u tha se parimi i reciprocitetit për të drejtat e pakicave kombëtare në Ballkan, është formula e duhur për paqe të qëndrueshme.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat