KASH thirrje ndërkombëtarëve të ndalohen ‘përkëdheljet’ ndaj Serbisë

Aktuale

KASH thirrje ndërkombëtarëve të ndalohen ‘përkëdheljet’ ndaj Serbisë

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 00:20
KASH

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon me forcën më të madhe sulmin terrorist të banditeve serbë, nga i cili deri me tani ka mbetur i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër është i plagosur.

KASH shpreh bindjen e thellë se bandat serbe janë të orkestruara dhe armatosura nga Beogradi dhe se ky sulm terrorist ishte i pritshëm.

Serbia me këto veprime destabilizuese dhe luftënxitëse po e fut rajonin në situata të paparashikuara destabilizuese, pasojat e të cilave mund të jenë tepër të rënda jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin, si dhe minojnë të gjitha projektet për arritjen e paqes në rajon.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë fton institucionet e Republikës së Kosovës që në bashkëpunim me KFOR-in dhe faktorin ndërkombëtar, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta zbardhur këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë autorët dhe përgjegjësit e këtij akti tepër të rëndë terrorist.

KASH vlerëson se ruajtja tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës dhe vendosjes se legjitimitetit të shtetit në mbarë territorin e Kosovës, nuk kanë asnjë alternative.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ndaloje “përkëdheljet” e tolerimet ndaj politikave ambigue të Vuçiçit, të ndërhyje sa më parë te institucionet e Serbisë dhe t’i detyrojë ato të ndalojnë këto akte luftënxitëse, të paraprira nga veprime të hapura mbështetëse ndaj bandave e krimit të organizuar serb në veriun e Kosovës, që do të hapnin një lufte të re me përmasa të paparashikueshme në rajonin tonë dhe me gjerë.

KASH shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e policit që humbi jetën dhe uron shërim të shpejtë për policin e plagosur.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë në këto momente të rënda i qëndron në krah popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me partneret dhe aleatet ndërkombëtarë për të treguar të vërtetën se çfarë po ndodh në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat