Gola: Qëllimi i Vuçiqit ishte inskenimi i ndonjë masakre ndaj pelegrinëve

Aktuale

Gola: Qëllimi i Vuçiqit ishte inskenimi i ndonjë masakre ndaj pelegrinëve

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 12:52
Gola

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka deklaruar se qëllimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë inskenimi i ndonjë masakre ndaj pelegrinëve serbë në veri, që sipas tij, më pastaj të akuzohej Policia e Kosovës si terroriste.

Pa përmendur dikë me emër, ai ka shkruar në Facebook të hënën se konfirmimi i këtyre inskenimeve u arrit pasi “u krijuan paralelizma se raporti i serbëve me Qeverinë e Kosovës është i njëjtë me atë të shqiptarëve dikur me Qeverinë e Beogradit”.

“Ama, po aq e vërtetë është se keni qene, dhe në fakt duket se jeni ende, duke ia bërë fort hyzmetin krijimit të një percepcioni të tillë. Paralelizmat kriminale që filluat me i nxjerr nga xhepat se si raporti i serbëve me Qeverinë e Kosovës sot është njëjtë me atë të shqiptarëve dikur me Qeverinë e Beogradit, se si njëjtë sikur dikur që Millosheviqi i dërgonte forcat policore nëpër komunat e Kosovës, njëjtë edhe Albini po i dërgon nëpër komunat e veriut, kanë qenë gatim i qëndrimeve, të cilat veç se do të pritnin konfirmimin nga inskenimet e Vuçiqit”, ka shkruar deputeti i partisë në pushtet.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës meriton falënderim historik për profesionalizmin e saj.

“Gjakftohtë e racionale në veprim derisa edhe lidhnin plagët e terroristëve të zënë robër, por me pasion të thellë për shtetin dhe atdheun, dëshmuan të kundërtën e një inxhinieringu anti-Kosovë që tërhiqte paralele komplet të huqur historike. Policia e Kosovës dëshmoi se atje është për të siguruar jetën e qytetarëve serbe nga makinacionet kriminale të Vuçiqit, e jo sikurse Millosheviqi që dërgonte polici për të na vrarë gjatë të ’90-ve”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat