Abdixhiku pret në takim Sarrazinin: Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për strehimin e terroristëve

Aktuale

Abdixhiku pret në takim Sarrazinin: Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për strehimin e terroristëve

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 13:22
Foto nga takimi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin për situatën e fundit në veri, ku u vra një zyrtar policor.

Abdixhiku theksoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve.

“Si pjesë e vizitës emergjente në Kosovë pas ngjarjeve të fundit në veri, sot, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, prita emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor z. Manuel Sarrazin; i cili shoqërohej nga ambasadori Rohde dhe zëvendësambasadori gjerman Conrad”, ka thënë Abdxhiku.

Ai tregoi se e ka falënderuar emisarin gjerman për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës pas zhvillimeve të djeshme.

“Të dërguarin e posaçëm gjerman, e falënderova për mbështetjen e shtetit Gjerman dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme. Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë”.

“Shpreha qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist”.

“Shpreha po ashtu, domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve”.

“Në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi. Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat