Gazeta gjermane ‘Die Welt’: Perëndimi i butë me Vuçiqin, gabim trashanik! Lajçak duhej shkarkuar me kohë!

Aktuale

Gazeta gjermane ‘Die Welt’: Perëndimi i butë me Vuçiqin, gabim trashanik! Lajçak duhej shkarkuar me kohë!

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 21:44
Aleksandër Vuçiç dhe Mirosllav Lajçak

Tensionet e fundit në Veri të Kosovës dhe sulmet e njëpasnjëshme të serbëve, janë bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Së fundmi gazeta konservatore gjermane ‘Die Welt’ka bërë një koment lidhur me situatën mes dy vendeve, teksa analizon dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve.

Gazeta shkruan se, bazuar në situatën e fundit, Brukseli duhet të kuptojë se dialogu Kosovë-Serbi ka dështuar. Sipas ‘Die Welt’, shkak është bërë politika destruktive e presidentit Aleksandër Vuçiç.

“A nuk po e sheh Perëndimi se çfarë është duke bërë vaki para derës së BE-së? A nuk po e vërejnë europianët se për presidentin e Rusisë Vlladimir Putin është punë e lehtë që atmosferën shpërthyese në Kosovë ta nxisë edhe më shumë me ndihmën e Serbisë si vend kandidat për BE dhe kështu, në rastin më të keq, ta fundos sërish në luftë mbarë Ballkanin?”

Sipas “Die Welt”, krahas luftës në Ukrainë, kjo situatë për Perëndimin do të ishte, një katastrofë tjetër që i shkon në dobi Moskës.

“Është e hidhur të shohësh se si europianët – si më parë në Siri dhe Libi – edhe në rastin e Kosovës po dështojnë strategjikisht dhe politika europiane gjendet faktikisht para një grumbulli me rrënoja”. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e formuluar nën drejtimin gjermano-francez, sipas gazetës gjermane, nuk ka vlerë. Bisedimet mes palëve nën drejtimin e Brukselit nuk kanë sjellë asgjë prej vitesh. “Mirosllav Lajçaku, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar dhe që moti e është dashur të shkarkohet”, nënvizon “Die Welt”.

“Edhe sa dëshiron Washingtoni ta këqyr këtë situatë? A po e vëren edhe presidenti i SHBA-ve Joe Biden rrezikun e përhapjes së zjarrit? Mes qeverive të Kosovës dhe Serbisë nuk ka më besim. Ky është një problem i madh. Sigurisht edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë gabime, ta zëmë duke i instaluar kryetarët shqiptarë në komunat në veri të Kosovës. Por arsyeja e vërtetë e tensioneve është politika destruktive e Vuçiqit. Ishin huliganët kriminelë serbë të futbollit që në pranverë sulmuan ushtarët e NATO-s dhe i lënduan rëndë. Ishte Vuçiqi i cili e dërgoi ushtrinë në kufirin kosovar dhe i tërhoqi zyrtarët serbë nga policia kosovare. Frika nga radikalizimi i mëtejshëm i Serbisë, por edhe nga një aleancë edhe më e ngushtë mes Beogradit dhe Moskës po e bën Perëndimin të tregohet shumë i butë ndaj Vuçiçit. Ky është një gabim trashanik”, shkruan gazeta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat