Isufaj: Dy nga të vrarët e grupit terrorist me nënshtetësi të dyfishtë

Aktuale

Isufaj: Dy nga të vrarët e grupit terrorist me nënshtetësi të dyfishtë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 00:00
Blerim Isufaj

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka konfirmuar për RTK-në se dy nga tre personat e vrarë nga grupi terrorist në Banjskë janë me nënshtetësi të dyfishtë.

“Deri më tash janë  të konfirmuar tre persona të vrarë nga grupi terrorist. Që të tre janë të nacionalitetit serb. Për dy e kemi të konfirmuar se kanë nënshtetësi të dyfishtë - të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, derisa për të tretin nuk mund ta them nëse ka dyshtetësi”, tha Isufaj.

Ai tutje ka theksuar se Prokuroria e konsideron operacionin e përfunduar vetëm atëherë kur e pranon raportin definitiv nga Policia e Kosovës me të gjeturat lidhur me rastin terrorist të ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Edhe sot kemi pasur risi për rastin që ka ndodhur dje. Përveç arsenalit të madh të armatimit të gjetur dje, një gjë e tillë ka ndodhur edhe sot, ku është gjetur një automjet i blinduar me një sasi të madhe të armatimit. Ne si Prokurori Speciale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë kemi udhëhequr veprime hetuese gjatë ditës së djeshme dhe sot për rastin e Banjskës. Nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist e deri më tani prokurori i rastit Naim Abazi ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë adekuate, të cilat do të ndriçojnë rrjedhën faktike të rastit të djeshëm terrorist”, tha Isufaj.

Ai ka konfirmuar po ashtu se sot në QKUK është mbajtur seanca ndaj të pandehurit i cili ndodhet për trajtim mjekësor dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj, derisa seanca për dy të arrestuarit e tjerë nga grupi terrorist në Banjskë, do të mbahet nesër në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat