Avokati i njërit prej terroristëve thotë se do të paraqesin ankesë

Aktuale

Avokati i njërit prej terroristëve thotë se do të paraqesin ankesë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 15:01
Dushan Maksimoviqi

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zvecanit. Kështu bëri të ditur Dejan Vasiqi avokati mbrojtës i njërit nga të arrestuarit.

Dy terroristët e arrestuar, Blagoje Spasoviq dhe Dushan Maksimoviq, janë larguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me përcjelljen e forcave të shumta policore dhe njësisë speciale.

Avokati i Dushan Maksimoviqit, Dejan Vasiq, paralajmëroi se do të paraqesin ankesë.

Vasiqi: Është një keqkuptim, klienti im Dushani do të deklarojë për ngjarjen se si ka ndodhur

Ndaj klientit tim Dushan Maksimoviq sot është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj vendimit do të ankimojmë. I kemi vënë në dukje gjykatës disa fakte që besojmë se janë relevante dhe që tregojnë se ky është ndoshta një keqkuptim më shumë se çdo gjë që mund të ketë të bëjë me një vepër penale. Në këtë kuptim, nesër po njoftoj se do të bëj ankim, kështu që do të shohim se si dhe në çfarë mënyre Gjykata e Apelit do t'i shqyrtojë ankesat tona. Dushani dje nuk ishte në gjendje të deklaronte, ishte pak i mërzitur dhe pak i shqetësuar për gjithçka që ndodhi, por unë do të kërkoj që të dëgjohet sa më parë, që do të thotë sa më shpejt, që nesër nëse është e mundur. Ai do të thotë gjithçka që unë mendoj për ngjarjen. Gjyqi është i mbyllur për publikun dhe askush nga ne nuk është i autorizuar të japë detaje”, tha Vasiqi.

Ndërsa motra terroristit Dushan, Biljana Maksimoviq, u shpreh për vëllain e saj se hetimi do të tregojë të vërtetën.

Maksimoviq: Të gjithë jemi më vëllain tim, hetimi do tregojë të vërtetën

Jam absolutisht e sigurt se hetimi do të tregojë të vërtetën, se e vërteta do të zbulohet në lidhje me rastin e përmendur në lidhje me vëllain tim Dushan Maksimoviq dhe të gjithë ne jemi me të” u shpreh Maksimoviq.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore, për t’u strehuar më pas në Manastririn e Banjskës.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat