Ish-zëdhënësi i NATO-s: Sulmet ndaj Policisë së Kosovës ishin të organizuara

Aktuale

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Sulmet ndaj Policisë së Kosovës ishin të organizuara

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 20:30
Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s dhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Jamie Shea ka deklaruar mes tjerash se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ishte i organizuar. Ai thotë se niveli i sigurisë duhet të rritet në Kosovë sepse mund të ketë edhe sulme të tjera nga grupet kriminale.

Nga Brukseli po i përcjell me vëmendje zhvillimet dramatike në veriun e Kosovës.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit ka qenë mirë i organizuar.

Shea, vlerëson se duhet një hetim i thellë për të kuptuar më shumë se si ka hyrë gjithë ai armatim në territorin e Kosovës.

Tutje, ai thotë se mund të ketë grupe të tjera që janë duke u përgatitur të krijojnë incidente të ngjashme në të ardhmen.

“Është e domosdoshme të bëhet një investigim i plotë dhe të zbulohet se kush janë ata njerëz, nga kanë ardhur ata, dhe si kanë arritur ta fusin gjithë atë armatim. Duhet të hetohet nëse ata ishin bandë e organizuar kriminale që po instrumentalizoheshin për motive politike. Por, është mese e qartë se kjo çfarë ka ndodhur në veriun e Kosovës nuk ka qenë diçka spontane, ishte e organizuar sepse ata njerëz kishin veshur uniforma dhe kishin shumë municion me vete. Por, unë akoma nuk e di se cili ka qenë motivi kryesor i tyre. Përveç kësaj çfarë ndodhi në veri, ekziston rreziku se mund të ketë grupe të tjera që janë duke u përgatitur të krijojnë incidente të ngjashme në të ardhmen”, deklaroi ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Eksperti i çështjeve të sigurisë vlerëson se Policia e Kosovës e ka kryer punën në mënyrë shumë profesionale.

Sipas britanikut, të dielën ka ekzistuar rreziku që situata të përshkallëzonte edhe më shumë.

“Mos të harrojmë që situata mund të përshkallëzohej edhe më shumë, sepse mund të kishin vdekur edhe disa pelegrinë që po qëndronin brenda në Manastir. Andaj duhet t’i përgëzojmë njësitet policore të Kosovës për punën profesionale që e kanë bërë në atë terren jashtëzakonisht të vështirë. Ata e morën nën kontroll situatën dhe arritën t’i arrestonin disa nga sulmuesit. Kjo është për t’u vlerësuar. Tani i takon Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar të përgatiten mirë që një ngjarje e tillë tragjike të mos përsëritet më”, u shpreh Jamie Shea.

Krerët shtetëror të Kosovës akuzuan Beogradin për orkestrimin e sulmit në Banjskë, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se ishin serbët lokal të Kosovës që u rebeluan ndaj Kryeministrit Kurti.

Në anën tjetër shtetet perëndimore kanë dënuar ashpër sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar që sulmuesit të sillen para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat