Murati thotë se po punohet për shtesat e rrezikshmërisë ndaj policëve

Aktuale

Murati thotë se po punohet për shtesat e rrezikshmërisë ndaj policëve

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 12:24
Hekuran Murati

Pas mbledhjes së qeverisë Kosovës, Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku kanë mbajtur konferencën për media.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur edhe për mos ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë ndaj zyrtarëve policor. Ai ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e ndërlidhjes së saj me Ligjin për Paga.

“Është një proces i cili ka të bëjë me ligjin për paga në tërësi. Është komplekse sepse ka të bëjë përmbi 80,000 zyrtarë publik. Jemi në proces të përcaktimit të gjitha shtesave por edhe kompetencave e kritereve që duhet të plotësohen me ligj”, ka thënë Murati.

Ndërkaq një nga vendimet e marra nga ana e Qeverisë ka qenë edhe ndarja e fondeve për renovimin e klinikave spitalore.

“Ndër të ndryshmet kishim ndarjen prej 1.4 milionë euro shtesë, kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë për renovimin e klinikave të caktuara dhe përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve”, tha Murati.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Komisionit Shtetëror për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, 25 vjetorit të çlirimit dhe 16 vjetorit të Pavarësisë

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ka dhënë detaje të përbërjes së këtij Këshilli.

“Ky manifestim që do të udhëhiqet nga ky këshill shtetëror, dhe në përbërje me vendim të Qeverisë përveç që më është besuar detyra e kryesuesit, anëtarë do të jenë ministrat Donika Gërvalla, Hekuran Murati, Ejup Maqedonci, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Elbert Krasniqi si dhe Bashkim Jashari, komandant i FSK-së”, është shprehur Çeku, raporton RTKlive.

Ai ka dhënë detaje edhe për ndërhyrjen në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku ka treguar se ende procedurat janë në fazë vlerësuese të projektit.

“Është ngritur juria vlerësuese për t’i shqyrtuar propozimet që kanë ardhur nga tri studio prestigjioze evropiane për projektin përfundimtar të Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Unë besoj shumë që juria profesionale do ta nxjerr fituesin dhe në moment që e kemi atë fillon projekti zbatues, besoj shumë që fillon koha kur e kemi pritur shumë si shtet”, ka thënë ai.

Qeveria do të ndërhyj në sanim të Manastirit të Banjskës pas sulmeve terroriste

I pari i kulturës në vend, ministri Hajrullah Çeku ka treguar se Manastiri në Banjskë pas sulmeve nga grupet terroriste serbe ka pësuar dëmtime fizike, të cilat Ministria do ta merr përsipër ndërhyrjen në to si aset të trashëgimisë kulturore në vend.

“Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte edhe një dimenison tjetër të rrezikshëm e të dëmshëm, përdorimin e një aseti të trashëgimisë kulturore e fetare për qëllime terroriste. Besoj thellë se qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve që në manastir përveç dëmit fizik në Manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, ka deklaruar Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat