Bajraktari: Radojiçiqi mund të ekstradohet përmes Europolit por edhe të gjykohet në mungesë

Aktuale

Bajraktari: Radojiçiqi mund të ekstradohet përmes Europolit por edhe të gjykohet në mungesë

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 00:11
Ardian Bajraktari

Juristi dhe ish-drejtorin ligjor të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, ka thënë se ekstradimi i kriminelit Milan Radojiçiq përpara drejtësisë në Kosovë mund të bëhet përmes Europolit.

Sipas Bajraktarit, një kërkesë e tillë, në rast se nuk është bërë, ajo duhet të bëhet shumë shpejt.

“Ekstradimi i Radojiçiqit mund të bëhet edhe përmes Europolit, ku institucionet tona kanë bashkëpunim të mirë me institucione të tilla. Janë veprime të natyrës urgjente dhe në këtë drejtim”, tha Bajraktari në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, Bajraktari tha se institucionet e Kosovës duhet të lëshojnë urdhër-arrest vendor dhe flet-rreshtim ndërkombëtar për ekstradimin e Radojiçiqit.

“Vlerësoj se ekstradimi i Radojiçiqit do të jetë i vështirë, por jo i pamundur. Ajo çka duhet të bëjnë institucionet është se duhet të veprojnë në dy drejtime”.

“E para, që me kërkesë të Prokurorisë duhet të lëshohet urdhër-arrest vendor, që i bie se në momentin e parë që haset personi në fjalë nga autoritetet vendore, i njëjti të arrestohet, e po ashtu duhet flet-rreshtim ndërkombëtar, i cili bëhet me kërkesë të Prokurorisë, dhe përmes kanaleve të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai.

Më tej, ai tha se në rast se nuk sigurohet prezenca fizike e Radojiçit, i njëjti mund të gjykohet edhe në mungesë të prezencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat