Kushtetuesja konstaton shkelje në të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin padisë për vërtetim pronësie

Aktuale

Kushtetuesja konstaton shkelje në të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin padisë për vërtetim pronësie

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Mejrem Qehaja-Rexha, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën për vërtetim pronësie dhe ka konstatuar konstatuar se kohëzgjatja e procedurave lidhur me padinë e parashtrueses së kërkesës përbën shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm.

Në njoftimin e Kushtetueses, thuhet se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor, padinë lidhur me vërtetim e pronësisë të së cilës, parashtruesja e kërkesës e kishte filluar në vitin 2008, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta, thuhet se kishte parashtruar padi për vërtetim të pronësisë në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër katër të paditurve të cilët jetonin jashtë Kosovës.

Që nga viti 2008, Gjykata Komunale, përkatësisht Gjykata Themelore, thuhet se nuk ka vendosur lidhur me kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës. Përgjatë 14 viteve, gjykata e lartcekur ka mbajtur gjithsej 17 seanca gjyqësore, kryesisht të karakterit përgatitor, ndërsa procesi gjyqësor në vazhdimësi është shtyrë, kryesisht si rezultat i mospjesëmarrjes së të paditurve në seancat përkatëse.

Megjithëse Themelorja kishte vendosur komunikimin me të paditurit jashtë Kosovës nëpërmjet ftesave të dërguara përmes Ministrisë së Drejtësisë, në shumicën e rasteve theksohet se të paditurit kanë munguar në seancat e përcaktuara nga Gjykata Komunale/Themelore, përfshirë mosarsyetimin e mungesës së tyre.

Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se nga janari 2010 deri në janar 2016, përkatësisht një periudhe gjashtë vjeçare, dhe nga shkurti 2018 deri në shtator 2020, përkatësisht një periudhe më shumë se dyvjeçare, nuk ishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Seanca e fundit gjyqësore lidhur me padinë e parashtrueses së kërkesës, ishte mbajtur më 27 janar 2022.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kontestoi tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, me pretendimin se çështja e saj nuk është gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që Gjykata Themelore nuk ka vendosur ende lidhur me padinë e saj të paraqitur në vitin 2008 dhe si pasojë ka shkelur garancitë e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.Në vlerësimin e pretendimit të lartcekur të parashtrueses së kërkesës, Gjykata Kushtetuese shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, përkatësisht përmbylljen e procesit gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm kohor, të përcaktuara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika gjyqësore e Gjykatës.

Kjo e fundit, ndër tjerash, sqaroi që arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, bazuar në: ndërlikueshmërinë e rastit; sjelljen e palëve në procedurë; sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontestin përkatës.

Në fund, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kohëzgjatja e procedurave lidhur me padinë e parashtrueses së kërkesës përbën shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm.

Kushtetuesja urdhëroi Gjykatën Themelore në Gjakovë që ta njoftojë Gjykatën, sa më shpejt që është e mundur, por jo më larg se gjashtë muaj, përkatësisht deri më 29 shkurt 2024, lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit të saj.

Gjykata gjithashtu sqaroi që, ajo nuk e ka kompetencën e akordimit të kompensimit, por që bazuar në praktikën e saj gjyqësore, parashtruesja e kërkesës mund të shfrytëzojë mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të saj, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin përkatës, si rezultat i shkeljes së të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm siç është e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat