Joseph kritikon Hillin: Ambasada e ShBA në Beograd s’po i shpërndan alarmet e Shtëpisë së Bardhë për trupat në kufi

Aktuale

Joseph kritikon Hillin: Ambasada e ShBA në Beograd s’po i shpërndan alarmet e Shtëpisë së Bardhë për trupat në kufi

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 09:54
Profesori amerikan, Edward Joseph

Profesori amerikan, Edward Joseph, ka drejtuar kritika në drejtim të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Joseph ka thënë se janë bërë mbi 10 orë nga alarmet e Shtëpisë së Bardhë për mobilizimin ushtarak të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe ende as Hill e as në faqen e Ambasadës, nuk janë shpërndarë këto alarme.

“Shtëpia e Bardhë e alarmuar po i bën thirrje Serbisë që të tërheqë trupat e saj të vendosur përgjatë kufirit me Kosovën. Sekretari Blinken “i nënvizoi” (Vuçiqit) nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën”. Mbi 10 orë dhe as Ambasadori i ShBA’së në Serbi e as Ambasada e ShBA’së në Serbi nuk kanë ripostuar mesazhet e krizës”, ka shkruar Joseph.

Ai tutje ka rikujtuar një deklaratë të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Albright e cila kishte thënë se “ajo që ka më shumë rëndësi në diplomaci, është ajo që thuhet publikisht”.

Joseph ka thënë se postimi i fundit i Hill është më 8 shtator e i ambasadës më 26 shtator, derisa ka pyetur se “Nëse do të ishit presidenti Vuçiq, çfarë mesazhi do të merrnit”.

“Ambasadori Hill ka postuar për herë të fundit në Tëitter më 8 shtator dhe Ambasada e ShBA’së në Serbi më 26 shtator. Nëse do të ishit presidenti Vuçiq, çfarë mesazhi do të merrnit”, përfundon postimi i Joseph.

Ndryshe, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin [e grumbullimit të trupave ushtarake serbe] nuk mund ta them tani”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat