Deklaratat e fundit për sulmin terrorist në veri, kërkohet që Edi Rama të shpallet non-grata në Kosovë

Aktuale

Deklaratat e fundit për sulmin terrorist në veri, kërkohet që Edi Rama të shpallet non-grata në Kosovë

Nga: A.M. Më: 30 shtator 2023 Në ora: 12:22
Edi Rama

Profesori Enver Bytyçi ka reaguar pas deklaratave të fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me zhvillimet e fundit të veri.

Ai kritikoi disa politikabë, analistë të cilët po i mbrojnë qëndrimet e Ramës, që sipas tij janë pro-serbe.

Bytyçi tha se nuk kishte se çka të keqkuptohet Rama, ai formuloi një kërkesë fjalë për fjalë çfarë e pati formuluar Aleksandër Vuçiç.

“Nëse në Kosovë nuk e kuptojnë se kryeministri i Shqipërisë është një prej arsyeve kryesore të pengesave për shtetndërtim, njohje dhe sukses, atëherë e keqja vetëm se do të thellohet dhe këto pengesa do shtohen! Nuk mjafton të jesh kryeministër i Shqipërisë dhe të të falet gjithçka që bën kundër vendit tënd, në këtë rast kundër Kosovës! Duhet ta dëshmosh mbështetjen dhe veprimtarinë tënde pro- Kosovës, që të ruhet uniteti, koherenca dhe bashkëpunimi vëllazëror midis dy vendeve! Nëse Rama bashkëpunon me Serbinë dhe mbron pikëpamjet, idetë, tezat dhe interesat e saj në Kosovë, atëherë ai duhet të jetë i papranueshëm në Kosovë! Madje non-grata”, shkroi ndër të tjera Bytyçi në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Është vërtetë e dhimbshme që në Kosovë guxojnë jo pak politikanë, analistë dhe njerëz ta mbrojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në qëndrimet pro-serbe të tij! Ata që duan ta mbrojnë dhe e mbështesin thonë se “Edi Rama u keqkuptua në Kosovë”! Nuk e di çfarë kishte për t’u keqkuptuar! Ai formuloi një kërkesë fjalë për fjalë çfarë e pati formuluar Aleksandër Vuçiç. Ku është keqkuptimi, kur citohet e njëjta çfarë thotë presidenti i Serbisë, vetëm se i ndërron vendin një fjale në fjali?!

Disa thonë “Mos të lexojmë këtë gjë negative që tha Rama, sepse ai ka thënë edhe gjëra të mira për Kosovën”! Liderët dallohen, sepse asgjë në deklaratat e tyre nuk rrëshqet, nuk i kundërvihet si kundërthënie pohimeve të tyre. Nëse ka kundërthënie, atëherë kjo ndodh qëllimshëm, që mesazhet të mbështillen me një tis, me të cilin i shërbehet të keqes. Nuk mundet asnjë udhëheqës në botë të mos kritikohet për mesazhe negative, të dëmshme e madje armiqësore, në rastin konkret për Kosovën, pse një ditë më parë pati thënë disa fjalë të bukura, por pa ndikim praktik!

Disa të tjerë e konsiderojnë përçarje kombëtare kritikën e qëndrimeve të Edi Ramës. Sipas tyre, krzeministri i Shqipërisë mund të bashkëpunojë me Serbinë kundër Kosovës, por kjo nuk duhet thënë e nuk duhet kritikuar, sepse përçahet kombi, përçahet Kosova me Shqipërinë”! Të tillë njerëz reagues e rëndojnë dhe e kërcënojnë më shumë Kosovën, sepse duan që të fshihet e vërteta dhe Edi Rama të vazhdojë i pashqetësuar të bashkëpunojë me Beogradin kundër Kosovës!

Nëse në Kosovë nuk e kuptojnë se kryeministri i Shqipërisë është një prej arsyeve kryesore të pengesave për shtetndërtim, njohje dhe sukses, atëherë e keqja vetëm se do të thellohet dhe këto pengesa do shtohen! Nuk mjafton të jesh kryeministër i Shqipërisë dhe të të falet gjithçka që bën kundër vendit tënd, në këtë rast kundër Kosovës! Duhet ta dëshmosh mbështetjen dhe veprimtarinë tënde pro- Kosovës, që të ruhet uniteti, koherenca dhe bashkëpunimi vëllazëror midis dy vendeve! Nëse Rama bashkëpunon me Serbinë dhe mbron pikëpamjet, idetë, tezat dhe interesat e saj në Kosovë, atëherë ai duhet të jetë i papranueshëm në Kosovë! Madje non-grata!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat