Tensionet në veri, KFOR-i rrit praninë me trupa britanike

Aktuale

Tensionet në veri, KFOR-i rrit praninë me trupa britanike

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 13:00
Trupat britanike në Kosovë

Përballë tensioneve të fundit në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, NATO para pak ditësh mori vendim të rritë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin nga NATO kanë bërë të ditur se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka autorizuar forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuara, kështu duke rritur praninë e KFOR-it.

“Në përgjigje të tensioneve në maj, KFOR-i dislokoi rreth 500 trupa turke nga forca jonë operative rezervë për Ballkanin Perëndimor dhe një batalion shtesë i forcave rezervë është në gatishmërinë më të lartë. Batalioni turk është zëvendësuar me trupa nga Bullgaria dhe Greqia.

Dje, Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuar, nëse është e nevojshme, për të adresuar situatën aktuale. Ne nuk komentojmë detaje specifike operacionale”, thuhet në përgjigjen  tyre.

“Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i po rrit praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës dhe në zonat përreth vijës kufitare për të siguruar që ai të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

Më tej, ata kanë theksuar se mandati i  KFOR-it është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit dhe kjo i mbetet Policisë së Kosovës.

“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës.

Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”.

Ndërkaq, ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, është shprehur i kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar do t’i bashkëngjiten KFOR-it në Kosovë.

Ministri britanik Docherty ka thënë se kjo demonstron përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se rruga e vetme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut.

“Ne kërkojmë qetësi dhe depërshkallëzim nga të gjitha anët. E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, ka shkruar ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty në platformën “X”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat