Hasani pas sulmit terrorist në veri: BE dhe SHBA të veprojnë në mënyrë të vendosur

Aktuale

Hasani pas sulmit terrorist në veri: BE dhe SHBA të veprojnë në mënyrë të vendosur

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 21:35
Igli Hasani

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Igli Hasani, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës është kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

Në seancën plenare duke folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, Hasani ka shprehur ngushëllime për familjen e Afrim Bunjakut, rreshteri i PK-së i cili mbeti i vrarë nga terroristët serb në Banjskë të Zveçanit.

Ndërsa ka theksuar se Shqipëria qëndron me Kosovën “në këtë kohë të vështirë”.

“Sulmi është, gjithashtu, një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët. Vrasja e një polici të Kosovës në krye të detyrës, e bën edhe më tragjik dhe të dhimbshëm këtë akt agresioni. Edhe njëherë shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjen e oficerit të policisë Afrim Bunjaku, që humbi jetën dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë policit të plagosur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se mbështesin popullin dhe Qeverinë e Kosovës të cilët “po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës”.

Hasani ka theksuar se autorët dhe nxitësit e sulmit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxjerrën sa më parë para drejtësisë.

“Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja të pakthyeshme të mundshme”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se “Policia e Republikës së Kosovës ka legjitimitetin e plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Ndërsa ka kritikuar Beogradin zyrtar që kishte shpallur ditë zie për terroristët e vrarë.

“Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur. Është pozitive që ushtria serbe nisi tërheqjen nga kufiri me Kosovën por është njëkohësisht shumë negative që ajo ushtri përdoret për shfaqje të tilla. Ky është gjithashtu, momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur, nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës”, ka theksuar ai.

Hasani ka bërë thirrje për angazhim “të fuqishëm dhe të menjëhershëm të bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Ai ka thënë dialogu është e vetmja rrugë drejt paqes.

“Shqipëria ka qëndruar gjithmonë me Kosovën dhe qëndron me Kosovën sot, në këtë kohë të vështirë”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat