Bunjaku: Nuk është meritë e Kurtit që ndërkombëtarët dënuan sulmin në veri

Aktuale

Bunjaku: Nuk është meritë e Kurtit që ndërkombëtarët dënuan sulmin në veri

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 19:56
Valentina Bunjaku

“Nuk është meritë e Kurtit që ndërkombëtarët kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë”, vlerësoi kështu, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku.

Në kuadër të diskutimit për zhvillimet e fundit në veri, Bunjaku tha se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm në koordinim me ndërkombëtarët, gjë që sipas saj, kryeministri, Albin Kurti, nuk po e bën.

“Të gjithë aleatët ndërkombëtar në këtë rast kanë qenë me Kosovën dhe kanë dënuar sulmin terrorist. Por, kjo nuk është meritë e Kurtit që ShBA-të e dënuan Serbinë e jo Kosovën. Kjo nuk është meritë e Kurtit, por është meritë e presidentit Rugova dhe e njerëzve që kanë lobuar e kanë krijuar miqësi me shtetet mike. Nuk po shoh bashkëpunim të Kurtit me ndërkombëtarët, sepse qysh në fillim ka hyrë në rrugë të gabuar dhe pa kthim. Çështja e veriut duhet të zgjidhet në bashkëpunim dhe në koordinim me ndërkombëtarët”, deklaroi Bunjaku në emisionin “Ditari”.

Madje sipas saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do duhej të reagonte para aktit terrorist.

“Presidentja duhet të reagojë me kohë dhe jo pas kohës. Qasja e Qeverisë tonë është dashur të bëhet ne koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mazhorancë dhe ky kryeministër, absolutisht nuk kanë bashkëpunim me opozitën”, u shpreh tutje Bunjaku.

Ndërkaq, e pyetur se a do e zgjedhë Qeveria Kurti çështjen e themelimit të Asociacionit, Bunjaku tha se Kurti nuk është i interesuar ta zgjidhë këtë problem.

“Do duhej ta zgjidhte. Mirëpo, Kurti nuk është i interesuar të zgjidhë problem, por është i interesuar për filma e drama”, tha tutje ajo.

Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat