Agresioni në Banjskë, Gazetari i DW: Këso mbështetje të Gjermanisë për Kosovën kam parë vetëm më 1999

Aktuale

Agresioni në Banjskë, Gazetari i DW: Këso mbështetje të Gjermanisë për Kosovën kam parë vetëm më 1999

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 00:39
Bahri Cani

Gazetari që jeton dhe vepron në Gjermani, Bahri Cani, duke folur për agresionin e Serbisë në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se mbështetje kaq të madhe të Gjermanisë për Kosovën ka parë vetëm gjatë vitit 1999 dhe 2008.

Në një lidhje direkte ai ka thënë se edhe nëpër media gjermane gjatë gjithë kohës fajësohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe autoritetet e Serbisë.

“Në Gjermani sot është vërtetë një ditë e madhe sepse shënohet Dita e Bashkimit të Gjermanisë. Në qoftë se edhe në këtë feste ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e thekson se Gjermania është duke mbështetur Kosovën në këto momente, atëherë në fakt e jep vetëm një detaj të asaj se çfarë po ndodh në Berlin”, ka thënë Cani.

“Të them të drejtën, unë në Gjermani jam kaherë, por një mbështetje kaq të fuqishme të Gjermanisë për Kosovën e kam parë vetëm në vitin 1999 dhe pastaj në vitin 2008”, ka thënë ai tutje.

Sipas tij, në Gjermani absolutisht gati të gjithë politikanët e rëndësishëm janë duke theksuar se ky ka qenë një aksion terrorist, se ata bashkëndiejnë dhe solidarizohen me aksionet e Policisë së Kosovës dhe siç thotë ai, kanë shprehur solidaritet edhe me familjen e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjakut.

“Pra, Gjermania vërtetë ka një lloj mbështetje, jo vetëm nga qarqet politike, por këto ditë ka pasur mbështetje shumë të fuqishme edhe te mediet gjermane, ku është theksuar gjithnjë se kemi të bëjmë me një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, me një situatë ku grupet terroriste kanë sulmuar policinë e rregullt dhe se e gjitha kjo ishte pikënisja e kësaj”, ka thënë gazetari i DW.

Më tej, ai ka thënë se në mediet gjermane faji hidhet mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe autoritetet e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat